Ndërlidhjet

Sundimi i ligjit, kriter i vazhdueshëm për liberalizimin e vizave


Ilustrim

Institucionet e Kosovës duhet t’u japin dëshmi vendeve të Bashkimit Evropian se është shënuar përparim në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, në mënyrë që Kosova të marrë liberalizimin e vizave, thonë njohësit e integrimeve evropiane.

Vendet si Gjermania, Franca, Holanda dhe disa shtete tjera të Bashkimit Evropian, sipas analistëve, po hezitojnë t’i hapin dyert e tyre për shtetasit e Kosovës, përmes liberalizimit të vizave, për faktin se në Kosovë nuk është shënuar progres i duhur në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK) duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se institucionet e vendit duhet të punojnë në fuqizimin e rendit dhe ligjit nëse dëshirojnë që Kosova të ketë liberalizimin e vizave.

“Çka duhet të bëjnë institucionet e Kosovës? Institucionet duhet të kuptojnë që sundimi i ligjit është kryefjala. Këtë e kanë thënë të gjithë përfaqësuesit e vendeve të BE-së. Vendimmarrja për liberalizim të vizave për Kosovën nga vendet e BE-së lidhet me luftën kundër krimit dhe korrupsionit të profileve të larta. Institucionet tona duhet të tregojnë se sistemi i drejtësisë ka kredibilitet dhe integritet të gjykojë rastet e korrupsionit të personave që janë pjesë e profilit të lartë politik”, thotë Kryeziu.

Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012. Bashkimi Evropian i kishte vënë Kosovës si detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian.

Një rekomandim të tillë, Komisioni Evropian e ka bërë në korrik të vitit 2018, ndërkaq në shtator të po atij viti, Parlamenti Evropian kishte votuar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave nuk e vendosi fare në agjendën e takimit të tyre çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha në vazhdimësi ka theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizim e vizave.

Ditë më parë ajo ka theksuar se çështja e liberalizimit të vizave mbetet në Këshillin e Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së i japin vlerësimet e tyre.

“Kemi kërkesa të vazhdueshme që sa më shpejt vendimi për liberalizim të vizave për Kosovën të futet në Këshillin e Ministrave. Ne jemi te hapi i fundit, votimi në Këshillin e Ministrave dhe posa të përfundojë ky votim, atëherë çështjet tjera janë procedurale dhe mbetet vetëm hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave”, ka thënë Hoxha.

Edhe analisti i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu thotë se sa i përket anës teknike të vlerësimit, Komisioni Evropian ka përfunduar punën e saj në korrik kur i ka rekomanduar të dy trupave legjislativ Këshillit dhe Parlamentit Evropian.

Sipas tij, Komisioni Evropian ka ardhur në përfundim që janë përmbushur kriteret, por siç thekson Kryeziu, këtë mendim të njëjtë nuk e ndajnë disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian si Franca, Gjermania, Holanda.

“Të gjitha institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë një gjë se vendimmarrja për këtë proces i takon vendeve anëtare të BE-së. Nuk e ka në dorë as Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini e as (komisionari për Zgjerim) Johanes Hahn dhe asnjë përfaqësues i Komisionit Evropian nuk kanë asgjë më në dorë në këtë proces, pasi që e kanë përfunduar e kanë dhënë rekomandimin dhe tani vendimmarrja është tek vendet e BE-së e atë vendimmarrje ata e shprehin përmes vullnetit politik që ata e kanë në kuadër të këshillit BE-së i cili vendos për këtë proces”, thekson Kryeziu.

Ndryshe, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, pati përmendur vitin 2020, si kohën më optimale kur Kosova do të mund sërish të pres një vendim eventual pozitiv për liberalizimin e vizave.

Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohet regjimit të vizave në zonën Shengen.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG