Ndërlidhjet

Sveçla njofton për bastisjen e një OJQ-je ngjitur me stacionin policor në Prishtinë


Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të mërkurën vonë se është bastisur një organizatë joqeveritare e vendosur në një anesk të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, për siç tha, veprimtari të jashtëligjshme dhe rrezikim të sigurisë së Kosovës.

“Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”, shkroi Sveçla në rrjetin social Facebook.

Ai theksoi se Departamenti i Organizatave Joqeveritare i Ministrisë së tij ka konfirmuar se organizata e bastisur është “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”.

Sveçla tha se ajo nuk e ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve.

“Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je”, shtoi ai.

“Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se bashkë me Policinë e Kosovës kishte kryer bastisje mëngjesin e së mërkurës “në një objekt në qendër të Prishtinës, ku dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt.”

Çfarë është Centar za Mir i Toleranciju Pristina?

Centar za Mir i Toleranciju Pristina, apo në shqip Qendra për Paqe dhe Tolerancë, është një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 2002, sipas usbsajtit të saj.

Sipas ueb faqes sw saj, prej vitit 1999, në zyrën e kësaj organizate në Prishtinë, e cila është vënë në dispozicion të komuniteteve pakicë në qytet, është vendosur një qendër për komunitete. Thuhet se “Qendra përdoret nga qytetarët e Prishtinës nga komuniteti serb si një lloj qendre për ofrimin e shërbimeve bazë mjekësore”.

Kjo OJQ thotë në uebsajtin e vet se është themeluar me qëllim për ta mbështetur forcimin e kapaciteteve të institucioneve lokale në komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe për të lobuar për qeverisje lokale transparente.

XS
SM
MD
LG