Ndërlidhjet

Sveçla: Serbët janë të sigurt, të mos i bllokojnë rrugët


Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe se policia ka ndërmarrë gjitha masat që të mos pengohet lëvizja e lirë.

Autoritetet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia. Por, serbët janë grumbulluar në afërsi të pikave kufitare në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie.

“Nuk kemi qëllim të pengohet lëvizja e lirë e qytetarëve serbë apo çfarëdo provokimi ose destabilizimi. Nuk duhet të ndikoheni nga deklaratat politike qëllimi i të cilave është përhapja e panikës dhe frikës. Sot po e zbatojmë marrëveshjen për të cilën Serbia është pajtuar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Qytetarët serbë kanë të drejtën e plotë të lëvizjes janë të sigurt dhe të mbrojtur me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. U bëj thirrje të mos i bllokojnë rrugët dhe të mos vendosin pengesa. Kjo është e dëmshme dhe nuk sjell asnjë dobi”, tha Sveçla në një konferencë për media në Prishtinë.

Sipas vendimit të autoriteteve në Prishtinë, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Veturave po u vendoset në xhamin para dhe prapa.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të aplikojë masa të reciprocitetit, sa i takon targave të Serbisë, Bashkimi Evropian u bëri thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëashëm.

Deri më tani, veturat e Kosovës që kanë kaluar nëpër Serbi, është dashur t’i heqin targat e tyre ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe të vendosin targa të përkohshme prej letre.

Çështja e targave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

XS
SM
MD
LG