Ndërlidhjet

Tre të vrarë në Paris, dyshohet për sulm me motive racore


Situata në Paris pas sulmit me armë zjarri.
Situata në Paris pas sulmit me armë zjarri.

Tre persona janë vrarë gjatë një sulmi në Paris më 23 dhjetor, kur një sulmues hapi zjarr në një qendër të komunitetit kurd. Ky sulm besohet se ka pasur motive racore dhe shkaktoi panik në rrugët e mbushura me dyqane dhe kafene.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dënoi sulmin, duke e cilësuar si “sulm të neveritshëm”. Pas sulmit, në Paris u mbajtën edhe protesta.

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, tha se i dyshuari qartazi tentoi të shënjestronte të huajt, por nuk ka të dhëna pse zgjodhi pikërisht qendrën e komunitetit kurd.

Tre të vrarët janë kurdë, tha një avokat i qendrës kulturore.

Prokuroria në Paris tha se i dyshuari, 69 vjeç, së fundi ishte liruar nga paraburgimi teksa po priste nisjen e gjyqit për një sulm me shpatë në një qendër të migrantëve. Sulmi kishte ndodhur vitin e kaluar dhe ishin plagosur disa persona.

Disa orë pas sulmit, protestuesit kurdë u përleshën me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Demonstruesit u përpoqën që të thyenin kordonin policor në momentin kur ministri Darmanin arriti te vendi i ngjarjes.

Protesta në Paris më 23 dhjetor 2022.
Protesta në Paris më 23 dhjetor 2022.

Protestuesit hodhën në drejtim të policisë gjësende të forta, përfshirë kosha të plehrave dhe dëmtuan tavolinat e restoranteve. Ata thanë se po shprehnin zemërimin lidhur me sulmin, duke shtuar se forcat e sigurisë franceze bën pak për ta parandaluar atë.

Kryetarja e Parisit, Anne Hidalgo, tha se të shtënat ishin akt i një ekstremisti të krahut të djathtë.

“Komuniteti kurd dhe të gjithë parisienët janë shënjestruar nga këto vrasje të aktivistit të të djathtës ekstreme”, shkroi Hidalgo në Twitter.

XS
SM
MD
LG