Ndërlidhjet

Fundoset anija e marinës tajlandeze, bllokohen mbi 100 marinarë


Aksidentet me varkë në Tajlandë. Fotografi ilustruse.
Aksidentet me varkë në Tajlandë. Fotografi ilustruse.

Një anije detare tajlandeze u përmbys gjatë një stuhie në Gjirin e Tajlandës të dielën mbrëma, duke bllokuar kështu më shumë se 100 marinarë.

Sipas autoriteteve tajlandeze, 75 anëtarë të ekuipazhit janë tërhequr, por kanë mbetur edhe 31 marinarë të bllokuar, pasi HTMAS Sukhotai u fundos.

Nuk raportohet për viktima, por pesë anëtarë të ekuipazhit janë në gjendje kritike.

Zyrtarët thanë se anija u fundos pasi i hyri uji, i cili përmbyti trupin e saj.

HTMAS Sukhotai u fundos rreth orës 23:30 me kohën lokale të dielën.

"Kanë kaluar më shumë se 12 orë, por ne do të vazhdojmë të kërkojmë”, tha një zëdhënës i marinës për BBC-në.

Ekipet e kërkimit punuan gjatë gjithë natës për të gjetur të mbijetuarit, me operacionin që vazhdoie dhe të hënën, me ndihmën e forcave ajrore.

Marina tha se do të hetohet shkaku i fundosjes.

"Kjo pothuajse nuk ka ndodhur kurrë në historinë e forcës sonë, veçanërisht me një anije që është ende në përdorim aktiv", tha zëdhënësi - admirali, Pogkrong Monthardpalin.

Gjatë operacionit, 75 nga 106 marinarët në bordin e Sukhotai shpëtuan. Por, 31 nga ta janë ende "në ujë", thuhet në njoftimin për media të marinës.

Tri anije detare dhe helikopterë u dërguan për ta ndihmuar HTMAS Sukhotai, por vetëm njëra arriti në anije përpara se të fundosej, por ende nuk janë publikuar detaje të tjera.

Kryeministri tajlandez, Prayut Chan-o-Cha, në një deklaratë të hënën tha se zyrtarët janë duke e hetuar rastin.

“Po i ndjek me vëmendje lajmet – rreth pesë persona janë lënduar rëndë”, tha ai.

HTMS Sukhothai u ndërtua për marinën tajlandeze në SHBA në mesin e viteve 1980.

XS
SM
MD
LG