Ndërlidhjet

Pelosi: Solidariteti me popullin tajvanez, më i rëndësishëm se kurrë më parë


Një bilbord në Tajvan me portretin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Një bilbord në Tajvan me portretin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, shprehu solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me Tajvanin, teksa ajo arriti në Tajpei. Vizita e Pelosit në këtë ishull ka përkeqësuar tensionet me Pekinin, që pretendon se ky ishull është pjesë e territorit të Kinës.

Pelosi u mirëprit më 2 gusht në aeroportin e Tajpeit nga ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, dhe Sandra Oudkirk, përfaqësuesja e lartë e SHBA-së në Tajvan.

“Vizita në Tajvan e delegacionit të Kongresit tonë nderon zotimin e palëkundur të Amerikës në mbështetjen e demokracisë së gjallë të Tajvanit”, tha Pelosi me të mbërritur në Tajvan.

“Solidariteti i Amerikës me 23 milionë banorët e Tajvanit është më i rëndësishëm se kurrë më parë, teksa bota përballet me zgjedhjen midis autokracisë dhe demokracisë”, shtoi ajo.

Kina menjëherë dënoi vizitën e Pelosit, duke thënë se seriozisht rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit. Ministria e Jashtme kineze përmes një deklarate për media tha se vizita e zyrtares amerikane “do të ketë ndikim të rëndë në raportet Kinë-SHBA dhe cenon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”.

Kina, që e konsideron Tajvanin si një provincë të saj dhe thotë se mund ta aneksojë me forcë nëse është e nevojshme, i sheh kontaktet e zyrtarëve amerikanë me Tajvanin si një përpjekje për të inkurajuar zyrtarizmin e pavarësisë së ishullit.

Tajvani: Mbi 20 avionë kinezë hyn në zonën ajrore

Më 2 gusht, teksa Pelosi arriti në Tajvan, autoritetet e këtij ishulli thanë se mbi 20 avionë luftarakë kinezë hyn në zonën e mbrojtjes ajrore.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha se “21 avionë hyn në zonën e mbrojtjes ajrore më 2 gusht”.

Më herët gjatë ditës, media shtetërore kineze tha se avionët kinezë po fluturonin mbi Ngushticën e Tajvanit.

Kina paralajmëron "operacione ushtarake"

Ushtria kineze është vënë në gatishmëri të lartë dhe do të nisë “operacione të shënjestruara ushtarake” në përgjigje të vizitës në Tajvan së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, tha mbrëmjen e 2 gushtit Ministria kineze e Mbrojtjes.

Në një njoftim të ndarë, Komanda Lindore e Ushtrisë Popullore të Kinës, tha se do të mbajë operacione të përbashkëta ushtarake afër Tajvanit të martën mbrëma.

Stërvitjet ushtarake do të përfshijnë stërvitje ajrore dhe detare në veri dhe juglindje të Tajvanit.

Ministria kineze e Mbrojtjes nuk dha detaje se çfarë do të përfshijnë operacionet e shënjestruara ushtarake, ose nëse ishin të ndara nga stërvitjet e paralajmëruara nga Komanda Lindore.

Më herët, agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua, raportoi se ushtria kineze do të mbajë stërvitje pesëditore përreth Tajvanit nga 4 deri më 7 gusht.

Ndërkaq, gjatë 2 gushtit, ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, tha se politikanët amerikanë “që luajnë me zjarr” lidhur me çështjen e Tajvanit, “nuk do të kenë një përfundim të mirë”.

Në një opinion të publikuar në Washington Post, Pelosi ka treguar arsyet e vizitës së saj në Tajvan dhe menjëherë pas arritjes në këtë shtet ajo vlerësoi angazhimin e Tajvanit për qeverisje demokratike, ndërsa kritikoi Kinën se ka rritur në mënyrë dramatike tensionet me Tajvanin në vitet e fundit.

Ajo tha se Akti i Raporteve me Tajvanin, dokument i nënshkruar 43 vjet më parë, përcakton angazhimin e Amerikës për një Tajvan demokratik, “duke siguruar kornizën për raporte ekonomike dhe diplomatike që do të forcohej shpejt në një partneritet kyç”.

Pelosi tha se ky dokument përfshin “betimin solemn” të SHBA-së për të mbështetur mbrojtjen e Tajvanit. Sipas këtij akti, Uashingtoni e konsideron çdo përpjekje për të përcaktuar të ardhmen e Tajvanit me mjete të tjera përveç atyre paqësore do të ishte “një kërcënim për paqen dhe sigurinë në Paqësorin Perëndimor dhe do të paraqiste shqetësim të madh për SHBA-në”.

Sipas saj, SHBA-ja duhet ta kujtojë këtë betim teksa demokracia e Tajvanit tani po kërcënohet nga Kina.

Pekini ka shtuar patrullimet me avionë vëzhgues, avionë bombardues dhe avionë të tjerë luftarakë, tha Pelosi. Po ashtu ka kryer dhjetëra sulme kibernetike ndaj agjencive qeveritare tajvaneze dhe po u bën presion shteteve në botë që të shkëpusin raportet me ishullin.

Në opinionin e publikuar në Washington Post, Pelosi përmendi “shtypjen brutale” të Kinës ndaj disidencës në Hong Kong dhe trajtimin e myslimanëve ujgurë dhe minoriteteve të tjera, që SHBA-ja i cilëson si gjenocid.

“Ne nuk mund të qëndrojmë pa vepruar teksa Partia Komuniste Kineze e kërcënon Tajvanin dhe demokracinë”, tha Pelosi.

Ajo tha se përderisa Rusia po vazhdon “luftën e paramenduar dhe ilegale ndaj Ukrainës, duke vrarë mijëra persona të pafajshëm – përfshirë fëmijë – është thelbësore që Amerika dhe aleatët ta bëjnë të qartë se ne kurrë nuk do të dorëzohemi para autokratëve”.

Presidenca tajvaneze tha se presidentja Tsai Ing-wen do të takohet me Pelosin më 3 gusht. Zyrtarja e lartë amerikane po ashtu do të takohet me një grup aktivistësh, të cilët janë kritikë të shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Kina.

Pelosi është zyrtarja më e lartë amerikane që viziton Tajvanin në 25 vjetët e fundit. Ajo udhëtoi për në Tajpei nga Malajzia. Po ashtu, pas vizitës në Tajvan Pelosi do të vizitojë Japoninë dhe Korenë e Jugut.

Ministria e Jashtme e Tajvanit refuzoi të komentonte për vizitën, por kur avioni që po bartte Pelosin ateroi në Tajpei, në Tajvan u shfaqën mesazhe, të tilla si “Mirë se erdhe në Tajvan” “Kryetare Pelosi” dhe “Tajvani e do SHBA-në”.

XS
SM
MD
LG