Ndërlidhjet

Pas takimit me Kurtin, Hamza thotë se PDK mbetet në opozitë

E përditësuar
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza.

Pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se biseda ishte konstruktive, por nuk prodhoi një rezultat konkret për formimin e institucioneve të reja. Hamza, nga ana tjetër, konfirmoi se partia e tij do të mbetet në opozitë, duke shtuar se LVV-ja e ka përgjegjësinë për formimin e institucioneve.

"Bazuar në bisedat që kemi pasur dhe diskutimet që kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, që t’i japin vendit institucione, duke i përfshirë të gjitha institucionet", tha Hamza për gazetarët.

Kurti tha se takimi u zhvillua në mënyrë konstruktive dhe në atmosferë të vullnetit dhe "interesimit për t'i dhënë Kosovës institucione të reja".

"Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret, ndonjë të arritur që do të mund ta ndaja me ju", tha Kurti, duke shtuar se takimet kanë për qëllim që vendi të ketë Kuvend, Qeveri dhe president brenda afateve kushtetuese.

Kurti tha se si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve të qershorit, përgjegjësia e tij është për formimin e Qeverisë, por përsëriti qëndrimin se për çështjen e presidentit, përgjegjësia është e të gjitha partive.

Ai përsëriti qëndrimin për një figurë konsensuale për postin e presidentit, duke theksuar se një kandidaturë e tillë do të ishte në përputhje me Kushtetutën.

"Ne pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale. Pra, dikush i cili nuk është i asnjë partie politike, dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, dikush i cili ka vlera të dëshmuara kombëtare, profesionale, qytetare dhe në këtë mënyrë të jetë shprehje e unitetit ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria jonë. Kjo është jo ideja jonë dhe kërkesa jonë, por kjo është fryma dhe germa e Kushtetutës”, tha Kurti.

Sipas tij, LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja së bashku kanë numrin e mjaftushëm që t'i konstituojnë të gjitha institucionet.

Por, Hamza gjatë deklarimit pas takimit tha se përgjegjësia për formimin e institucioneve i takon LVV-së, duke theksuar se të gjitha partitë e tjera nuk mund ta zgjedhin kreun e ri të shtetit pa partinë e Kurtit.

“LVV-ja duhet të gjejë partnerë, sipas nevojave dhe kritereve të saj dhe interesave të tyre për t’i dhënë vendit institucione”, u shpreh Hamza për gazetarët.

Ndërkaq, Kurti u shpreh se me 53 mandate të LVV-së, dhe ato të partive të komuniteteve pakicë joserbe, ai ka mbi 61 votat e nevojshme për Qeverinë, por nuk tregoi nëse menjëherë pas konstituimit të Kuvendit do të procedohet me votimin e ekzekutivit të ri.

"Ne jemi të interesuar që t’i japim kohë diskutimeve, konsultimeve, që legjislatrua të ketë jo vetëm kryetar dhe qeveri, por edhe president", tha Kurti.

Në orën 18:00 është paraparë takimi me udhëheqësin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Kurtit.

Takimet mes udhëheqësve politikë vijnë dy ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit, të cilat u mbajtën pasi muaj më parë, partitë dështuan të arrinin konsensus për presidentin e ri të vendit.

Kurti e ka ftuar në takim edhe kreun e Aleancës, Ardian Gjini, por ai e ka refuzuar ftesën, duke argumentuar se partia e tij veçse i ka paraqitur gjashtë kushte që do të duhej t’i plotësonte Kurti në këmbim të mbështetjes të krijimit të institucioneve.

Analisti politik, Ilir Deda, i ka vlerësuar si pozitive këto takime, por ka theksuar se është koha e fundit “që me një apo dy takime maksimum” udhëheqësit politikë “të japin përgjigje për krijim të institucioneve”.

Deda i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbajtja e zgjedhjeve të reja do të ishte shumë e dëmshme për vendin, duke shtuar se “Kurti, Hamza dhe Abdixhiku, e kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme që së bashku të merren vesh dhe t’i japin Kosovës një Qeveri funksionale, një president dhe një stabilitet politik në katër vjetët e ardhshëm”.

Sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja e Kurtiti ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22 ulëse, LDK-ja 18 dhe Aleanca shtatë.

Pas certifikimit të rezultateve, deputetët e legjislaturës së re kanë përpara detyrën e konstituimit të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Për dy të parat kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh. Partia e Kurtit i ka votat për dy proceset e para, pasi llogarit në votat e partive pakicë joserbe - që kanë dhjetë mandate.

Megjithatë, ende nuk ekziston një marrëveshje apo konsensus rreth emrit të presidentit.

Për presidentin nevojitet prania e dy të tretave të deputetëve në Kuvendin që votimi në dy rundet e para të jetë i vlefshëm.

Në mungesë të një marrëveshjeje politike, kjo është e pamundur për secilën parti parlamentare.

Kushtetuta parasheh që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit.

Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin të katërtat parlamentare që nga shkurti i vitit 2025.

Qëndrimet e partive

Ditë më parë, zyrtarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, i tha Radios Evropa e Lirë se subjekti i saj politik i ka votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit.

Kjo parti kërkon që presidenti të jetë një figurë konsensuale, jopartiake, teksa muaj më parë propozoi dy figura nga shoqëria civile, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxha për postin e presidentit. Por, LVV-ja nuk arriti marrëveshje me partitë opozitare dhe këto kandidatura nuk arritën të merrnin votat e nevojshme.

Tri partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca kanë paraqitur disa kushte për bashkëpunimin e mundshëm me partinë e Kurtit.

Hamza ka thënë se e para se të flitet për bashkëpunim të mundshëm qeverisës janë një sërë temash, sikurse pagat dhe pensionet, kapacitetet energjetike, gazi amerikan, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, që do të duhen të trajtohen me LVV-në.

Për LDK-në, “parakusht i ekzistencës politike”, sipas Abdixhikut, janë orientimi strategjik i Kosovës, përfshirë gazi amerikan.

Ndërkaq, ndër gjashtë kushtet e Aleancës janë që Kosova ta pranojë projektin e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali me thëngjill dhe disa kushte të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë.

Njohësi i çështjeve politike, Ilir Deda, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha kërkesat e partive opozitare janë në interes të Kosovës dhe sipas tij, ato kanë për qëllim rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe thellimin e “partneritetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara”.

Qeveria në detyrë e Kurtit po përballet me thirrje nga Ambasada amerikane, partitë opozitare dhe odat ekonomike që të bëhet pjesë e nismave rajonale të rrjetit të gazit të lëngshëm natyror (LNG), që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Dy ditë më parë, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati përsëriti thirrjen që Kosova të furnizohet me LNG-në amerikane “për të siguruar investime amerikane në të ardhmen”.

Megjithatë, deri më tani, nga ekzekutivi kosovar nuk kanë dhënë sinjale se janë të gatshëm të bëhen pjesë e këtyre nismave, teksa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Kurti kanë përmendur idenë e gazifikimit të thëngjillit vendas.

XS
SM
MD
LG