Ndërlidhjet

Vazhdon bllokada, vazhdojnë bisedimet


Qytetarët në veri të Kosovës kalojnë përmes bllokadave. Jarinjë, 28 shtator 2021.
Qytetarët në veri të Kosovës kalojnë përmes bllokadave. Jarinjë, 28 shtator 2021.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë po marrin pjesë në takimet në Bruksel, që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për situatën në veri, teksa rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak, për të dhjetën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, të mërkurën u takua në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar.

Zyrtari amerikan tha se duhet që urgjentisht të gjendet zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve dhe që palët t’i kthehen dialogut, përmes të cilit do të zgjidhen çështjet e hapura.

Takimet me BE-në për situatën në veri

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se ka zhvilluar takime të ndara me dy kryenegociatorët, me të cilët ka biseduar për gjetjen e mënyrave për tejkalimin e krizës aktuale.

“Këtë mëngjes zhvillova dy takime të ndara me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar për mënyrat sesi të zgjidhet kriza aktuale. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona gjatë ditës”, shkroi ai në Twitter.

Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Në Bashkimin Evropian shpresojnë se do të ketë takim të përbashkët mes Bislimit, Petkoviqit dhe Lajçakut dhe që ai do të prodhojë edhe rezultate konkrete që do të ndihmonin në uljen e tensioneve. Brukseli ka thënë se pret që kryenegociatorët, jo vetëm të jenë të gatshëm të diskutojnë, por edhe të kenë mandat të qartë që të arrijnë ndonjë rezultat në takim.

Më herët zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka pohuar që Gabriel Escobar, nuk pritet të marrë pjesë në takimet trepalëshe sepse ato janë format që përfshijnë vetëm delegacionet e Kosovës dhe Serbisë si palë biseduese dhe BE-në në cilësinë e lehtësueses.

Edhe në ditën kur pritet të mbahen takimet në Bruksel, BE-ja ka përsëritur thirrjet që të ulen tensionet dhe të shfrytëzohet dialogu si platforma e vetme për të kërkuar zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura mes palëve.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit nuk është raportuar për ndonjë incident në afërsi të asnjërës pikë kufitare, Jarinjë e Bërnjak. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë bllokadave, ndërkohë që misioni i KFOR-it ka rritur prezencën në këtë pjesë.

Von der Leyen e shqetësuar me krizën në veri

Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin, Albin Kurti, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të mërkurën se është shumë e shqetësuar me krizën në veri të Kosovës dhe se sipas saj gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë përmes dialogut në Bruksel.

“Është shumë me rendësi që ne të ecim tutje përpara në rrugën evropiane. Ka rëndësi jetike që të bëhet normalizimi i mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi von der Leyen.

Zgjidhja e vetme e krizës aktuale që po mbizotëron në veri të Kosovës, sipas von der Leyen, është tryeza e bisedimeve në Bruksel.

“Më duhet të them që jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale. Është shumë me rëndësi që të shtensionohet situata, të kthehemi në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. E vetmja mënyra sesi mund të bëhet kjo është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që është platforma e vetme e zgjidhjes së krizës aktuale”, deklaroi von der Leyen.

Presidentja e KE-së e shqetësuar për situatën në veri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:36 0:00

Von der Leyen tha se do të vazhdojë te jetë në kontakt me Qeverinë e Kosovës, sepse sipas saj, ajo dëshiron që të shohë Kosovën të shënojë përparim.

Kurti: Serbia merr donacione nga BE-ja e armatoset nga Rusia dhe Kina

Gjatë konferencës për media në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas tij bëri deklarata luftënxitëse që rezultuan me djegien e dy qendrave të regjistrimit të automjeteve në veri të vendit më 25 shtator.

“Kam kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok dhe Jarinjë, pasi janë sulmuar institucionet e Kosovës dhe ky sulm erdhi pas deklaratave luftënxitëse e plot urrejtje të presidentit të Serbisë dhe pas demonstrimeve ushtarake me tanke e helikopterë Mig në kufi me Kosovën”, deklaroi Kurti.

Kurti tha po ashtu se se Serbia në njërën anë merr donacione nga Bashkimi Evropian e në anën tjetër armatoset me armë nga Rusia dhe Kina.

“Fatkeqësisht jemi në një situatë në të cilën në njërën anë merren ndihma e donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër Serbia, përkundër që i merr këto fonde pa zbatuar vlera, do të duhej që të demokratizohet e jo të militarizohet nga Rusia dhe Kina”, deklaroi Kurti.

Hoti: Përkrah qeverinë për operacionin në veri, por duhet koordinim ndërkombëtar

Ish-kryeministri i Kosovës, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se veprimet që po ndërmerren në veri të Kosovës, janë në interes të vendosjes së ligjshmërisë në atë pjesë të territorit.

“Çdo veprim i yni duhet të jetë pjesë e një skenari të qartë në funksion të arritjes së qëllimit përfundimtar, që është vendosja e ligjshmërisë në tërë vendin dhe në të gjitha fushat. Nuk duhet ndërmarrë veprime të motivuara nga dinamikat lokale politike”, theksoi Hoti.

Hoti ka thënë se se gjendja në dy pikat kufitare në veri duhet menaxhuar me kujdes dhe në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.

MPB thotë se po kërcënohen qytetarët që po pajisjen me targa të përkohshme

Ministria e Punëve të Brendshme tha më 29 shtator se është informuar që qytetarët të cilët janë pajisur me targa të përkohshme, po kërcënohen nga persona, që sipas këtij institucioni, janë ende të paidentifikuar.

“Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër këto kërcënime në drejtim të qytetarëve të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme sipas vendimit të MPB-së më datë 20 shtator 2021”, thuhet në njoftim.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në veri të Kosovës kanë raportuar se gjatë natës së mbrëmshme në të paktën një veturë me tabela të përkohshme të Kosovës janë vendosur mbishkrime me përmbajtje kërcënuese.

Ndërkaq, të martën, ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media tha se kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë refuzuar ofertën e KFOR-it, që ky mision të përkujdeset për pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga atje.

Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.

Sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Për këto targa të përkohshme shoferët duhet të paguajnë pesë euro dhe vlefshmëria e tyre është dy muaj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG