Ndërlidhjet

Stoltenberg: NATO-ja zhvilloi "bisedime serioze" me Rusinë për Ukrainën


Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg (djathtas), dhe liderët e delegacionit rus, Aleksandr Grushko, zëvendësministër i Jashtëm rus (në mes), dhe Aleksandr Fomin, zëvendësministër i Mbrojtjes (majtas)
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg (djathtas), dhe liderët e delegacionit rus, Aleksandr Grushko, zëvendësministër i Jashtëm rus (në mes), dhe Aleksandr Fomin, zëvendësministër i Mbrojtjes (majtas)

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ushtarake “ka pasur bisedime serioze dhe të drejtpërdrejta” me zyrtarët rusë në çështjet e lidhura me Ukrainën.

Ai ka thënë se shpreson që mund të realizohen bisedime tjera në të ardhmen.

Duke folur pas takimit katërorësh me delegacionin nga Rusia, në kuadër të Këshillit NATO-Rusi, Stoltenberg ka thënë më 12 janar se bisedimet kanë qenë të dobishme dhe se aleanca veri-atlantike do të bëjë çdo përpjekje për të gjetur rrugën politike për të ecur përpara me Moskën, sa i përket sigurisë evropiane.

Stoltenberg ka thënë se NATO-ja ka shprehur “shqetësim serioz për pozicionimin e gati 100,000 trupave afër kufirit të Rusisë me Ukrainën, si dhe në Gadishullin e Krimesë".

Shtetet e Bashkuara besojnë se këto veprime mund të çojnë në pushtimin e Ukrainës.

A do të ketë edhe një luftë në Ukrainë?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:01 0:00

“Ka dallime të mëdha në mes të aleatëve të NATO-s dhe Rusisë në këtë çështje”, u ka thënë ai gazetarëve nga selia në Bruksel.

“Nuk do të jetë e lehtë të tejkalojmë dallimet tona, mirëpo është shenjë pozitive se aleatët e NATO-s dhe Rusia janë ulur në tavolinën e njëjtë dhe kanë biseduar për tema të rëndësishme”.

Ai po ashtu ka thënë se Ukraina ka të drejtë të zgjedhë të ardhmen e saj, sa i përket sigurisë, dhe se dyert e NATO-s janë të hapura për të pranuar anëtarë të rinj.

“Askush nuk mund të thotë asgjë, dhe natyrisht se Rusia nuk ka mundësinë e vetos”, ka thënë ai.

Stoltenberg dhe liderët e delegacionit rus, Aleksandr Grushko, zëvendësministër i Jashtëm rus, dhe Aleksandr Fomin, zëvendësministër i Mbrojtjes, janë parë shumë të ashpër para se të niste takimi.

Negociatorja amerikane, Wendy Sherman, njëherësh zëvendës-Sekretare amerikane e Shtetit, ka marrë pjesë në takime si udhëheqëse e delegacionit amerikan.

Ajo ka udhëhequr këtë ekip edhe në takimet me zyrtarët rusë në Gjenevë më 10 janar.

Grushko e ka përshkruar takimin, si “moment të së vërtetës” për marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e ka përsëritur se Rusia, ndonëse nuk është duke vendosur ultimatume, është e shqetësuar për zgjerimin e mundshëm të NATO-s.

“Natyrisht, Rusia është e shqetësuar për zgjerimin e mundshëm të NAT0-s. NATO-ja nuk është instrument i zhvillimit, është instrument i përballjes”, u ka thënë Peskov gazetarëve në Moskë.

Këshilli NATO-Rusi është krijuar dy dekada më parë, mirëpo takimet e plota janë pezulluar pasi Rusia ka aneksuar Gadishullin e Ukrainës më 2014.

Këshilli është takuar vetëm për raste sporadike dhe takimi i fundit i tillë është zhvilluar në korrik të vitit 2019.

Takimi NATO-Rusi është mbajtur pas rundit të parë të bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Gjenevë, më 10 janar.

Këto bisedime nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje.

Zyrtarët e Perëndimit dhe analistë kanë thënë se prezenca e trupave ruse përbën një tentim për presion ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë për të arritur koncesione.

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, ka thënë më 11 janar se asnjë aleat i NATO-s nuk ka gatishmëri për të biseduar diçka lidhur me politikën e NATO-s për dyer të hapura.

Aleatët kanë insistuar se anëtarësimi në NATO është çështje e shteteve sovrane dhe se ato duhet të vendosin vetë.

Pas më shumë se shtatë orëve të negociatave në Gjenevë, zyrtarët amerikanë dhe ata rusë kanë thënë më 10 janar se duan të vazhdojnë bisedimet, ndonëse ato kanë përfunduar pa marrëveshje.

Kremlini: Nuk shohim arsye të vërtetë për të qenë optimistë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë më 11 janar se bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë qenë të hapura dhe të drejtpërdrejta, mirëpo nuk ka pasur përparim në çështjet që Moska i konsideron urgjente.

“Nuk shohim arsye të vërtetë për të qenë optimistë”, ka thënë Peskov.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG