Ndërlidhjet

Takimet në kuadër të dialogut nisin të enjten në mëngjes


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (djathtas) me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq (majtas) dhe diplomatët e BE-së Josep Borell dhe Mirosllav Lajçak në një prej takimeve në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (djathtas) me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq (majtas) dhe diplomatët e BE-së Josep Borell dhe Mirosllav Lajçak në një prej takimeve në Bruksel.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se takimet e diplomatëve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, do të nisin të enjten qysh prej orës 09:00.

Diplomatët fillimisht takohen ndaras me liderët e dy vendeve, e më vonë pritet të mbahet një takim trepalësh, mes Kurtit, Vuçiqit dhe kryediplomatit të BE-së, Josep Borell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Në këtë takim pritet të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, të arritur në shkurt, dhe më pas për çështjet aktuale.

Takimi i 14 shtatorit mes Kurtit dhe Vuçiqit është i pari prej kur janë rritur tensionet në veri të Kosovës.

Tensionet janë rritur pasi banorët serbë në këto komuna nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që ata i kanë bojkotuar – dhe e kanë refuzuar hyrjen e kryetarëve nëpër ndërtesa komunale.

Situate me raste është përshkallëzuar në dhunë.

Në takimin e 14 shtatorit pritet të diskutohet për këto tensione dhe gjetjen e rrugës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Hera e fundit kur dy liderët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut, ka qenë 2 maji.

Një ditë më parë, Kurti ka thënë se ka biseduar lidhur me takimin së enjtes, me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e tij për t’u angazhuar aktivisht në takimin e nivelit të lartë politik të së enjtes në Bruksel, teksa falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën”, është thënë në njoftimin për media.

Përkushtim në dialog ka kërkuar edhe Gjermania.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë më 11 shtator se rundi i 14 shtatorit zhvillohet në një “moment kritik”.

“Na duhet përkushtimi i plotë i të dyja palëve për shtensionim të plotë, për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe për një demokraci pjesëmarrëse. Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet tani. Nuk duhet të ketë më lojëra për të fajësuar të tjerët. Hiqni pengesat për përparim. Është koha të veprohet në të mirë të të gjithëve”, ka shkruar ai në X, që më herët njihej si Twitter.

Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri në shkurt për atë që njihet si Marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve me dy vendeve.

Më pas, në mars në Ohër, palët janë pajtuar për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë.

Marrëveshja prej 11 nenesh nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Në BE pranojnë se nuk ka pasur përparim drejt zbatimit të Marrëveshjes dhe as aneksit të saj, andaj pritet që fokusi të enjten të jetë në kthimin e dialogut në fazën e zbatimit të obligimeve që kanë marrë dy vendet.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG