Ndërlidhjet

Pesë pikat kryesore nga takimi Biden-Xi


Presidenti amerikan, Joe Biden (djathtas) dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping (majtas). Bali, 14 nëntor 2022.
Presidenti amerikan, Joe Biden (djathtas) dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping (majtas). Bali, 14 nëntor 2022.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, u takuan të hënën në Bali të Indonezisë. Ky është takimi i parë ndërmjet këtyre dy liderëve prejse Biden ka marrë detyrën e presidentit në fillim të vitit 2021.

Ja cilat janë pesë pikat kryesore nga ky takim:

Takim i vërtetë

Nëse ka një gjë për të cilën të dy ranë dakord, është fakti se ata u ndien të lumtur që u takuan përsëri.

"Që kur ju morët Presidencën, ne kemi mbajtur komunikimin nëpërmjet konferencave për media, telefonatave dhe letrave. Por, asnjëra prej tyre nuk mund ta zëvendësojë realisht takimin ballë për ballë. Sot më në fund po takohemi", tha Xi.

Biden u pajtua me liderin autoritar, të cilin e njeh prej vitesh.

"Nuk zëvendësohen diskutimet ballë për ballë. Dhe, siç e dini, unë jam i përkushtuar t'i mbaj të hapura linjat e komunikimit mes jush dhe meje personalisht, por edhe mes qeverive tona", tha ai.

Nuk ka përdorim të armëve bërthamore në Ukrainë

Është folur shumë për atë që dikur dukej se ishte një aleancë ndërmjet Rusisë dhe Kinës, ku të dyja ankohen shpesh se Shtetet e Bashkuara kërkojnë të dominojnë botën, në vend që të pranojnë vizionin e tyre "multipolar".

Kur presidenti rus, Vladimir Putin, filloi pushtimin e tij shkatërrues të Ukrainës në shkurt, spekulimet u rritën mbi atë se çfarë lloj mbështetjeje politike, ekonomike dhe ushtarake do të jepte Kina. Përgjigjja, deri më tani, nuk ka qenë e madhe – sigurisht jo ajo që mund të dëshirojë Putini.

Në bisedimet në Bali, Biden dhe Xi u pajtuan se fusha ku Kremlini nuk do të ketë mbështetje është përdorimi i armëve bërthamore.

Ata "theksuan kundërshtimin e tyre ndaj përdorimit ose kërcënimit të përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë", tha SHBA-ja.

Rifillimi i bashkëpunimit për krizën klimatike

Shtëpia e Bardhë tha se nuk priste shumë nga bisedimet. Megjithatë, njëra nga pikat ishte rifillimi i bashkëpunimit ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit për tema jo shumë të diskutueshme, ku pesha globale e shteteve i bën ata lojtarë kyç.

Pati njëfarë suksesi me planet për të ringjallur punën e përbashkët për të drejtuar botën dhe për t'i përmbushur objektivat e OKB-së për reduktimin e ngrohjes globale. Kina i kishte ndërprerë këto lidhje nga zemërimi për mbështetjen e SHBA-së për qeverinë vetëqeverisëse dhe demokratike të Tajvanit.

Biden tha se duhet punuar "së bashku për çështje urgjente globale që kërkojnë bashkëpunimin tonë të ndërsjellë".

Kurse, Xi deklaroi se "njerëzimi është përballur me sfida të paprecedentë" dhe tha se "bota pret që Kina dhe SHBA-ja t'i trajtojnë siç duhet marrëdhëniet mes vete".

Jo një Lufte të Ftohtë

Fryma e bashkëpunimit mund të ketë arritur kulmin në deklaratën e të dy liderëve se ndonëse nuk pajtohen për shumë gjëra, ata nuk janë për një konflikt gjithçka ose asgjë.

Xi i tha Bidenit se të dyja vendet "kanë më shumë interesa të përbashkëta", sipas një përshkrimi kinez të takimit.

Sipas raportimeve, Xi tha se Pekini nuk kërkon ta sfidojë SHBA-në ose "të ndryshojë rendin ekzistues ndërkombëtar".

Biden ishte i vendosur, duke thënë se ai "absolutisht" beson se "nuk duhet të ketë një Luftë të re të Ftohtë".

Tajvani, çështje e pazgjidhur

Rreziku i menjëhershëm, sipas shumë njerëzve, është një luftë e nxehtë mbi Tajvanin.

Shtetet e Bashkuara nuk e njohin ishullin si të pavarur, por janë zotuar ta ndihmojnë atë të mbrohet, derisa Qeveria kineze po rrit retorikën e saj për përdorimin e forcës për ta marrë nën kontroll atë që e konsideron pjesë të territorit të saj.

Biden tha se nuk sheh përpjekje "të afërt" kundër Tajvanit.

Megjithatë, të dy liderët, me gjithë deklaratat e tyre miqësore, nuk kishin asgjë të re për të thënë për këtë çështje.

“Ne jemi të përkushtuar për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në ngushticat e Tajvanit”, tha Biden. Është një frazë që Uashingtoni e përdor gjatë gjithë kohës për të thënë se dëshiron të mbajë status quo-në, duke mos lejuar Kinën të marrë kontrollin mbi Tajvanin.

Media shtetërore kineze tha se Xi e kishte cilësuar Tajvanin si çështje "thelbësore e interesave të Kinës".

Është “vija e parë e kuqe që nuk duhet të kalohet në marrëdhëniet Kinë-SHBA”, raportoi agjencia e lajmeve Xinhua.

Përgatiti: Erjonë Popova
XS
SM
MD
LG