Ndërlidhjet

Gërvalla: Kosova, e hapur për epokë të re me Serbinë


Ilustrim.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla ka thënë se pavarësisht dëmit të shkaktuar nga Serbia, Kosova mbetet e hapur për dialog me këtë shtet.

Sipas saj, sa më parë që Serbia e pranon realitetin e Kosovës së pavarur, aq më shpejt do të dilet nga situata.

“Ne mbesim të hapur me gjithë dëmin që na ka shkaktuar Serbia, të zgjatim dorën dhe të fillojmë një epokë të re”, ka thënë ajo gjatë fjalimit të mbajtur në takimin e radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, ajo ka kërkuar që Serbia të identifikojë kriminelët e luftës dhe t’i ndëshkojë ata.

Ministri për Punë të Jashtme i Serbisë, Nikolla Sellakoviq ka thënë se pala serbe është gati për dialog, por jo edhe për ultimatime që ka vënë Qeveria e re në Kosovë.

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, ka thënë se ka biseduar si me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin ashtu edhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, për rëndësinë e vazhdimit të dialogut në mes të të dyja vendeve.

Ai ka thënë se nuk ka formulë për dialog dhe se zgjidhja duhet të burojë nga brenda.

Thirrje për vazhdim të dialogut në mes të të dyja vendeve kanë bërë edhe vendet tjera pjesëmarrëse në takim, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Norvegjinë.

Formimi i institucioneve të reja në Kosovë

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla ka thënë se Kosova ka hyrë në epokë të re politike, teksa ka përmendur fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt.

Ajo ka thënë se Qeveria e re e Kosovës do të punojë për reforma në drejtësi dhe investime të huaja, dhe luftim të korrupsionit.

Edhe shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, ka përmendur zgjedhjet në Kosovë duke thënë se ato janë mbajtur në mënyrë të duhur.

Ai ka përmendur faktin se prej kur ka shpërthyer pandemia, Kosova është udhëhequr nga tri qeveri të ndryshme, çka ka rritur edhe më shumë rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në këtë vend.

“Dalja ka qenë e madhe”, ka thënë ai, duke përmendur se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi gjysmën e votave në këtë proces.

Ai ka thënë se Qeveria e Kurtit ka shumë mundësi, ashtu sikurse shumë sfida, duke përmendur premtimet e tij për vende te reja puna, dhe luftim të krimit dhe korrupsionit.

“Hapja e dyerve për të ardhmen kërkon transformim dhe ndryshim të prioriteteve, të cilat reflektohen në fjalë dhe vepra. Ulja e tensioneve po ashtu kërkon që pushteti dhe partitë opozita dëshmojnë aftësitë e tyre për t’u bashkuar në interesa më të gjera”, ka thënë ai.

Mes tjerash, Tanin ka përmendur se Vjosa Osmani është kthyer në gruan e dytë të zgjedhur në krye të pozitës së presidentit të Kosovës.

Përballja e Kosovës me pandeminë

Mes tjerash, Gërvalla ka falënderuar miqtë dhe aleatët e Kosovës për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.

Refuzimi i Rusisë ndaj flamurit të Kosovës

Në nisje të këtij takimi përfaqësuesi i Rusisë në këtë trup, i ka kërkuar ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvallës, që të mos prezantohet me flamurin e Kosovës në këtë takim.

Ai ka thënë se disa vende anëtare të Kombeve të Bashkuara nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, andaj ajo nuk mund të prezantohet me këtë simbol.

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në këtë takim, ka thënë se nuk e sheh të arsyeshme kërkesën e Rusisë.

Megjithatë, pas një ndërprerjeje, mbledhja ka vazhduar ashtu siç ka nisur, me flamurin e Kosovës mbrapa Gërvallës.

Ministri për Punë të Jashtme i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, e ka quajtur abuzim takimin në formatin virutal, me shfaqjen e flamurit të Kosovës në takim.

“Abuzimet të tilla janë absolutisht të papranueshme”, ka thënë ai, duke shtuar se një gjë e tillë përbën shkelje të rregullave të Këshillit të Sigurimit.

XS
SM
MD
LG