Ndërlidhjet

Na quajnë të pafe: Ish-ushtarët afganë jetojnë të fshehur për të shmangur ndëshkimin e talibanëve


Në këtë fotografi të bërë më 28 gusht 2017, një marins amerikan shikon teksa ushtarët e Ushtrisë Kombëtare Afgane ngrenë flamurin kombëtar afgan në një automjet të armatosur gjatë një stërvitje.
Në këtë fotografi të bërë më 28 gusht 2017, një marins amerikan shikon teksa ushtarët e Ushtrisë Kombëtare Afgane ngrenë flamurin kombëtar afgan në një automjet të armatosur gjatë një stërvitje.

Shumë anëtarë të ish-forcave të armatosura afgane dhe familjet e tyre jetojnë të fshehur gati një vit pas pushtimit të talibanëve. Ata ankohen për persekutim dhe ngacmim, pavarësisht njoftimit të talibanëve për një amnisti të përgjithshme kur ata morën pushtetin në gusht 2021.

Suleiman dhe familja e tij kanë jetuar të fshehur për muaj të tërë, duke lëvizur vazhdimisht nga një vend në tjetrin nga frika e hakmarrjes së talibanëve.

Familja e tij ka qenë në arrati që kur vëllai i tij i madh, një ish-anëtar i agjencisë së inteligjencës afgane, u vra menjëherë pasi talibanët rrëzuan Qeverinë afgane të mbështetur nga perëndimi dhe morën pushtetin në gusht të vitit 2021.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar talibanët për kryerjen e vrasjeve të përhapura hakmarrëse, zhdukjeve të detyruara dhe torturave të ish-zyrtarëve afganë, forcave të sigurisë dhe individëve që bashkëpunuan me praninë ushtarake të larguar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne jemi ende duke u përballur me shumë kërcënime”, tha Suleimani, i cili nuk e zbuloi emrin e tij të vërtetë për arsye sigurie, për Radio Azadi të Radios Evropa e Lirë.

"Njerëzit [në qeverinë e udhëhequr nga talibanët] përshkruajnë zyrtarë dhe ushtarë të ish-qeverisë afgane si mbështetës të një sistemi të korruptuar," shtoi ai. “Nganjëherë, na quajnë të pafe”.

Talibanët kanë mohuar vrasjen e vëllait 35-vjeçar të Sulejmanit, i cili u vra në Afganistanin lindor në tetor. Grupi militant i tha Suleimanit se "persona të panjohur" e kishin atë dhe se "ata nuk mund të bëjnë asgjë për këtë".

"Thirrje kërcënuese"

Familja e Sulejmanit nuk është e vetmja. Familjet e mijëra afganëve të lidhur me qeverinë e rrëzuar, e cila mbështetej ndërkombëtarisht, dhe ish-forcat e sigurisë jetojnë në frikë të vazhdueshme.

Dhjetëra mijëra afganë të rrezikuar u larguan gjatë evakuimit kaotik të udhëhequr nga SHBA në gusht. Por mijëra të tjerë, duke përfshirë ish-anëtarë të forcave afgane të sigurisë, nëpunës civilë dhe ata që ndihmuan luftën e udhëhequr nga SHBA-ja, mbeten të bllokuar në Afganistan.

"Unë po përballem me kërcënime të vazhdueshme të sigurisë që më detyrojnë të ndryshoj vazhdimisht vendbanimin tim", tha një ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme për Radio Azadi.

Ish-zyrtari i trajnuar nga perëndimi, i cili kërkoi që emri i tij të fshihej për të mbrojtur identitetin e tij, tha se fillimisht ai ofroi shërbimet e tij për autoritetet e reja talibane.

“Por më thanë se nuk ka vend për mua në qeverinë e re”, tha ai. Që atëherë, ai është strehuar në një lagje të largët të vendit për të mos u identifikuar.

Talibanët qëndrojnë roje jashtë spitalit ushtarak, një ditë pas shpërthimeve me bomba dhe sulmit nga militantët e Shtetit Islamik. Afganistan, Kabul, 3 nëntor 2021.
Talibanët qëndrojnë roje jashtë spitalit ushtarak, një ditë pas shpërthimeve me bomba dhe sulmit nga militantët e Shtetit Islamik. Afganistan, Kabul, 3 nëntor 2021.

Hamid, i cili shërbeu si oficer në Ushtrinë Kombëtare Afgane për rreth 15 vjet, ndryshon vendndodhjen e tij çdo muaj.

"Kam marrë telefonata të shumta kërcënuese", tha Hamidi, i cili nuk donte të përdorte emrin e tij të vërtetë për arsye sigurie, për Radio Azadi. "Ata kishin qasje në bazat e të dhënave të departamenteve të ndryshme qeveritare dhe kishin gjetur informacionin tim personal".

Hamidi tha se telefonuesit e dinin se ku jetonte dhe ku shkonin fëmijët e tij në shkollë.

Premtimi për 'amnisti'

Talibanët kanë thënë në mënyrë të përsëritur se janë të përkushtuar ndaj amnistisë së përgjithshme.

“Ata mund të jetojnë lirshëm në shtëpitë e tyre dhe të udhëtojnë nëpër vend”, tha zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid për Radio Azadi. “Askush nuk lejohet të kërcënojë askënd”.

Por grupet ndërkombëtare të të drejtave thanë se talibanët kanë kryer shumë vrasje për hakmarrje që nga marrja e pushtetit.

Patricia Gossman, drejtoreshë e Azisë në Human Rights Watch (HRW), tha se organizata e saj ka dokumentuar dhe konfirmuar në mënyrë të pavarur më shumë se 100 raste të vrasjeve, zhdukjeve të detyruara, ngacmimeve dhe rrahjeve të ish-anëtarëve të forcave afgane të sigurisë.

“Incidentet kanë vazhduar në të gjithë vendin përkundër mohimeve nga autoritetet qendrore dhe premtimit të tyre për “amnisti”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Gossman tha se "veçanërisht" të shënjestruar nga talibanët ishin ish-anëtarë të Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë (NDS), agjencisë kryesore të inteligjencës së vendit, Policisë Lokale afgane (ALP), dhe Policisë Kombëtare Afgane (ANP).

Një hetim shtatë-mujor nga The New York Times zbuloi se rreth 500 ish-punëtorë të qeverisë dhe anëtarë të forcave të sigurisë të Afganistanit u vranë ose u zhdukën me forcë gjatë gjashtë muajve të parë të talibanëve në pushtet.

Përgatiti: Erjonë Popova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG