Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe Britania dënojnë vendimin e talibanëve për ndalimin e shkollimit të grave


Gratë afgane qëndrojnë në radhë para Universitetit të Kabulit për t'iu nënshtruar testit pranues për në universitet. 13 tetor 2022.
Gratë afgane qëndrojnë në radhë para Universitetit të Kabulit për t'iu nënshtruar testit pranues për në universitet. 13 tetor 2022.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë dënuar vendimin e qeverisë së Afganistanit të udhëhequr nga talibanët për të ndaluar gratë që të ndjekin studimet në universitete në mbarë vendin.

Të dërguarit e SHBA-së dhe Britanisë në Kombet e Bashkuara, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, të thirrur për Afganistanin, dënuan këtë vendim të 20 dhjetorit, që paraqet kufizimin e fundit ndaj të drejtave të grave dhe vajzave në Afganistan.

“Talibanët nuk mund të presin që të jenë anëtarë legjitimë të komunitetit ndërkombëtarë derisa nuk respektojnë të drejtat e të gjithë afganëve, veçmas të drejtat e njeriut dhe liritë thelbësore të grave dhe vajzave”, tha zëvendësambasadori amerikan në OKB, Robert Wood.

Pavarësisht se kur morën pushtetin vitin e kaluar, talibanët kishin premtuar një sundim më të butë, islamistët e linjës së ashpër kanë vazhduar të kufizojnë të drejtat e grave në të gjitha aspektet e jetës.

Njoftimi për ndalimin e universiteteve të grave u nënshkrua nga ministri për Arsim të Lartë, Neda Muhammad Nadeem.

“Ju informoj për zbatimin e menjëhershëm të urdhrit për pezullimin e edukimit të grave, deri në një njoftim të ri”, u tha në letër.

Vendimi vlen të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit.

Ky vendim nuk është publikuar në ueb-faqen e ministrisë, por burimet në ministri kanë konfirmuar autenticitetin e vendimit.

Nuk është e qartë se kur ekzekutivi afgan mori këtë vendim. Edhe pse në letër është shënuar data 20 dhjetor 2022, teksti i letrës i referohet një vendimi të vitit të kaluar.

Talibanët veçse kanë ndaluar shkollimi e vajzave përtej nivelit fillor.

Shumë gra dhe vajza afgane kishin shpresuar se talibanët, pas rikthimit në pushtet, nuk do të aplikonin një version të ashpër të Ligjit islamik, dhe do t’i lejonin ato të vazhdonin shkollimin.

Tre muaj më parë, mijëra gra dhe vajza në mbarë Afganistanin iu nënshtruan provimeve pranuese për në universitet.

Por, megjithatë kishte pasur kufizime lidhur me drejtimet që ato mund të studionin, duke ua pamundësuar që të studionin për veterinari, inxhinieri, ekonomi dhe agrikulturë. Po ashtu, gazetaria ishte një drejtim jashtëzakonisht i kufizuar.

Pas marrjes së pushtetit vitin e kaluar, talibanët bën ngjarje gjinore në universitete, ku gratë vijonin studimet në klasa të ndara dhe po ashtu u vendosën hyrje të veçanta në universitete për studentet.

Po ashtu, vetëm profesoreshat dhe profesorët në moshë mund të ligjëronin në universitetet për gratë.

Komuniteti ndërkombëtar ka thënë se e drejta e shkollimit për të gjitha gratë është një pikë kyçe e negociatave lidhur me dërgimin e ndihmës në Afganistan dhe për njohjen e regjimit të talibanëve.

XS
SM
MD
LG