Ndërlidhjet

Talibanët po i afrohen kryeqytetit afgan


Luftëtarët talibanë patrullojnë brenda qytetit Ghazni, në jugperëndim të Kabulit, Afganistan, e enjte, 12 gusht 2021.

Luftimet e forcave qeveritare afgane me militantët talibanë, po vazhdojnë edhe gjatë ditës së enjte, në shumë rajone të Afganistanit. Luftimet kanë qenë jashtëzakonisht intensive në qytetin e Kandaharit.

Nga spitali i qytetit u tha se ishin pranuar shumë anëtarë të forcave të armatosura dhe disa talibanë të plagosur. Talibanët thanë se kanë marrë nën kontroll burgun krahinor të Kandaharit. Ata gjithashtu thanë se kanë vënë nën kontroll qytetin e Gaznit, që gjendet 130 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Kabul.

Inteligjenca amerikane beson se brenda 90 ditësh, ata mund ta marrin nën kontroll kryeqytetin Kabul, raporton Reuters.

Sipas Reuters, për më pak se një javë, talibanët kanë marrë kontrollin e së paku tetë kryeqyteteve të provincave dhe janë afër marrjes së kontrollit edhe të tre të tjerëve.

Agjencia e lajmeve AP, raporton se kryengritësit tashmë kanë nën kontroll 10 nga 34 kryeqytetet e provincave.

Talibanët filluan ofensivën që nga muaji maj, kur forcat e huaja, përfshirë ato të SHBA-së, filluan tërheqjen nga Afganistani, pas rreth 20 vjetësh të operacioneve ushtarake atje. Talibanët kontrollojnë rreth dy të tretat e Afganistanit.

Në Uashington, një zyrtar amerikan i mbrojtjes të mërkurën citoi inteligjencën amerikane të ketë thënë se talibanët mund ta izolojnë Kabulin brenda 30 ditësh dhe ndoshta ta marrin kontrollin e kryeqytetit brenda 90 ditësh.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të martën se nuk ishte penduar për vendimin e tij për të tërhequr forcat nga Afganistani dhe u bëri thirrje udhëheqësve afganë të luftojnë për atdheun e tyre.

Bisedimet e paqes

Në fillim të vitit 2020, talibanët arritën një marrëveshje me SHBA-në për tërheqjen e forcave të huaja, në këmbim të garancive që territori afgan nuk do të bëhet strehë e terroristëve.

Talibanët gjithashtu ishin zotuar se do të përfshihen në bisedime të paqes me qeverinë afgane, përmes zyrës së tyre politike në Doha të Katarit.

Por, nuk janë shënuar përparime në këto bisedime.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Kinës, Rusisë dhe Pakistanit, do të takohen me negociatorët talibanë dhe qeverinë afgane më 12 gusht, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të negociuar për konfliktin.

Delegacioni afgan në Doha, i udhëhequr nga Abdullah Abdullah, kreu i këshillit për pajtim, ka kërkuar që talibanët të përfundojnë menjëherë sulmet ndaj qyteteve dhe të fillojnë një dialog për të gjetur një zgjidhje politike.

Abdullah tha një ditë më parë se talibanët nuk i kishin marrë seriozisht bisedimet e paqes dhe se asnjë përparim nuk ishte në kuadër të tyre.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, gjithashtu foli për një ritëm të "ngadalshëm" të bisedimeve.

"Qëllimi ynë është që të krijojmë konsensus dhe që bashkësia ndërkombëtare të flasë me një zë mbi nevojën e arritjes së një marrëveshje paqeje”, tha ai.

Mohammad Naeem, një zëdhënës i zyrës politike të talibanëve në Katar, i tha shërbimit afgan të Radios Evropa e Lirë, se në ditën e dytë të takimit, qeveria afgane nuk ishte e përkushtuar ndaj bisedimeve dhe nuk ishte e interesuar për arritjen e paqes.

Kombet e Bashkuara thanë se gjatë muajit korrik më shumë se 1.000 civilë ishin vrarë në Afganistan. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se që nga 1 gushti rreth 4.042 persona të plagosur ishin trajtuar në 15 institucione shëndetësore.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Ladenin dhe figura të tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Joe Biden, ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG