Ndërlidhjet

Talibanët po kufizojnë mediat, thonë Reporterët pa Kufij


Një militant taliban dhe pas tij harta e Afganistanit.

Organizata "Reporterët pa Kufij" thotë se talibanët në Afganistan po imponojnë "kufizime shumë të rënda" në media.

Sipas kësaj organizate, ka rritje të kërcënimeve, presioneve dhe ndonjëherë dhunës nga ana e talibanëve ndaj mediave, derisa ata po vendosin rregulla të reja çdo ditë.

Reporterët pa Kufij i bënë pretendimet përmes një deklarate më 24 gusht.

Të paktën 10 gazetarë janë kërcënuar ose sulmuar gjatë kryerjes së punës së tyre në rrugët e Kabulit dhe Xhalalabadit brenda një jave, tha organizata, duke shtuar se rreth 100 media private në të gjithë vendin e ndalen punën e tyre sapo talibanët morën kontrollin.

"Gjatë një jave talibanët rrahën pesë gazetarë dhe kameramanë nga kanali ynë", citoi organizata një punëtor të një kanali televiziv privat, i cili për arsye të sigurisë foli në kushte anonimiteti.

"Ata kontrollojnë gjithçka që transmetojmë”, tha ai.

Ndërkohë, mediat janë detyruar të pezullojnë një pjesë të programeve të tyre sepse talibanët i urdhëruan ata të respektojnë ligjin islam, thonë Reporterët Pa Kufij.

"Serialet dhe programet sociale janë ndalur. Ne transmetojmë vetëm buletine të shkurtra lajmesh dhe dokumentarë arkivorë", tha një punëtor i një stacioni televiziv privat.

Një drejtor i një radioje private në veri të Kabulit i tha organizatës se militantët talibanë "kanë filluar të na udhëzojnë se çfarë informacione mund të transmetojmë".

Korrespondentët e huaj që mbetën në kryeqytet nuk janë "subjekt i këtyre rregullave dhe arrijnë të punojnë pothuajse normalisht, por për sa kohë?" shtron pyetjen oganizata.

“Ne përfitojmë nga fakti se talibanët ende kërkojnë legjitimitet dhe ardhja në ditët e fundit e kanaleve kryesore televizive ndërkombëtare, na mbron neve. Vështirësitë e vërteta do të fillojnë kur të jemi përsëri vetëm", u citua të thoshte një gazetar i huaj.

Hapja e shumë mediave ishte vlerësuar si një nga arritjet më të mëdha të Afganistanit në 20 vjetët e fundit. Nën regjimin taliban deri më 2001 mediat e pavarura ishin të ndaluara.

Që kur e morën pushtetin në Kabul, grupi militant është munduar të paraqesë një pasqyrë mbase më të moderuar, duke u zotuar të mbrojë mediat e lira dhe të drejtat e grave - edhe pse brenda kornizës së rregullave të Islamit.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, tha më 17 gusht se grupi do të jetë “ndryshe" në kuptimin pozitiv nga sundimi i tyre në vitet 1996-2001.

Gjatë konferencës së parë për media që nga marrja e kontrollit, Mujahid tha se mediat private "do të mbeten të pavarura", por, sipas tij, gazetarët "nuk duhet të punojnë kundër vlerave kombëtare".

Talibanët morën kontrollin e Afganistanit, pas vendimit të presidentit Biden për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nga Afganistani.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kishin rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG