Ndërlidhjet

Kurti u bën thirrje serbëve të riregjistrojnë makinat në RKS


Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të riregjistrojnë makinat e tyre në targat RKS – Republika e Kosovës – teksa më 1 shtator ka nisur afati dymujor për riregjistrim.

Qytetarët serbë në veri të Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia – sikurse PR, KM, PZ, GL e të ngjashme – do të mund t’i regjistrojnë ato në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve.

“Targat e lëshuara nga Serbia PR, KM, PZ, GL, UR dhe PE janë trashëgimi e Millosheviqit. Kjo trashëgimi është barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon të ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar. Konvertimi në targa RKS eliminon këtë barrë dhe ju siguron lëvizje të lirë, të pa penguar dhe pa paragjykime në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Kurti përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe të postuar në rrjetet sociale.

Ai tha se riregjistrimi do t’u mundësojë qytetarëve serbë që me makinat e tyre të qarkullojnë në tërë territorin e Kosovës.

Sipas Kurtit, 401.945 vetura janë të regjistruara me targat RKS.

“Prej tyre, dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen në targa RKS përbëjnë rreth 2 për qind të tyre”, tha ai.

Riregjistrimi, sipas Kurtit, do të ketë edhe përfitime financiare deri në 5.000 euro, pasi qytetarët që regjistrojnë veturat në RKS do të lirohen nga disa tatime.

Në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe (Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut) vlerësohen se qarkullojnë 10.000 vetura me targa serbe.

Teksa Serbia ka kërkuar që serbët në veri të përdorin targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – Kosova ka kundërshtuar një ide të tillë.

Por, që një qytetar të regjistrojë një veturë në Kosovë, atij i duhet që të ketë dokumente të Kosovës, përkatësisht letërnjoftim.

Serbët që jetojnë në veri të Kosovës përballen me një sërë problemesh për pajisjen me dokumente të Kosovës. Për pajisjen me letërnjoftim ata duhet të kenë vërtetim se kanë shtetësi.

Shumica e serbëve në Kosovë kanë shtetësi të dyfishtë dhe ata përdorin shtetësinë e Serbisë. Por, Kosova dhe Serbia nuk njohin sistemet e njëra-tjetrës dhe Prishtina zyrtare shpesh nuk njeh dokumentet e lëshuar nga autoritetet serbe.

Si rrjedhojë, mungesa e dokumenteve të Kosovës mund të paraqesë problem për procesin e riregjistrimit të makinave.

XS
SM
MD
LG