Ndërlidhjet

Të bërit biznes, mes raportit të Bankës Botërore dhe realitetit në Kosovë


Pamje nga prezantimi i të gjeturave të raportit të Bankës Botërore "Të bërit biznes 2018". 31 tetor, 2017
Pamje nga prezantimi i të gjeturave të raportit të Bankës Botërore "Të bërit biznes 2018". 31 tetor, 2017

Njohja e përparimit të Kosovës në fushën e të bërit biznes nga ana e Bankës Botërore, nuk lë shumë hapësirë për eufori, thonë përfaqësuesit e bizneseve. Sipas tyre, në realitet ende ka shumë procedura burokratike dhe probleme tjera bazike më të cilat ballafaqohen bizneset.

Raporti “Të bërit biznes 2018”, i Bankës Botërore e ka renditur Kosovën në mesin e dhjetë vendeve më reformuese në botë në të bërit biznes. Kosova radhitet në pozitën e 40 – të, nga 190 vende, sa i përket lehtësisë së të bërit biznes krahasuar me vendin e 60 ku ka qenë në të kaluarën.

Kosova radhitet e 10-ta në regjistrimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 48-ta në tregtinë ndërkufitare, por nuk radhitet lartë në mbrojtjen e investitorëve, në furnizimin me energji elektrike dhe në trajtimin e lejeve të ndërtimit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se ky raport do të jetë një informacion që do të provokojë pozitivisht investitorët e huaj, “se në Kosovë po ndodhin hapa pozitiv”.

Por, që sipas tij, në praktikë ende ka barriera të shumta në të bërit biznes në Kosovë.

Në këtë raport nuk ka arsye për një eufori për të arriturat, është e vërtetë që janë bërë hapa pozitiv, qoftë në eliminimin e barrierave në regjistrimin e biznesit qoftë në mbështetje të investitorëve, por duhet të analizohet raporti në substancë çka pas regjistrimit të biznesit, çka pas fillimi të bizneseve, në veçanti është furnizimi me energji elektrike si dhe burokracia pas regjistrimit të biznesit”.

Besoj se nga ky raport institucionet në Kosovë duhet t’i përvishen punës edhe më tepër që të krijohet një qëndrueshmëri në të bërit biznes dhe të mos vlerësohet vetëm dita e parë e regjistrimit të biznesit, pasi që pengesat në sektorin privat janë pasi që të fillon aktiviteti biznesor”, thotë Gërxhaliu.

Ai thotë se problemet ekonomike janë grumbulluar, por se gjatë viteve të fundit janë bërë hapa pozitiv në aspektin e disiplinës financiare, në aspektin e ndaljen së tenderomanisë masive.

Është koha kur për ekonomi duhet të bëhet më tepër sesa të kënaqemi vetëm me raporte që vinë nga institucionet kredibile siç është Banka Botërore. Është koha për krijimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe krijimin e një substance ekonomike”, thotë Gërxhaliu.

Ndërkohë, eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se progresi i theksuar në raportin e të bërë biznes është një lajm i mirë, pasi që është një element inkurajues sa i përket tërheqjes së investitorëve të jashtëm.

Ky raport tregon se klima e të bërit biznes në Kosovë po përmirësohet, por që sipas Gashit, ka ende shumë punë për tu bërë në këtë fushë.

Sa i përket klimës së të bërit biznes ende ka hapësirë për përmirësime, pasi që problemi kryesor në Kosovë është monopoli i disa sektorëve kyç, ku kompani të lidhur drejtpërdrejtë me politikën po mbajnë ende monopol në disa sektorë strategjikë dhe në disa sektorë të vegjël. Unë rekomandoj që Qeveria duhet t’i luftojë këto monopole dhe të krijojë barazi në treg për të gjitha bizneset”, thotë Gashi.

Pika e dytë e cila po vështirëson të bërit biznes në Kosovës, shton Gashi është mosfunksionimi i sistemim të drejtësisë, burokracia në institucionet publike dhe korrupsioni.

Mirëpo nëse kthehemi nga këndvështrimi i Bankës Botërore është një lajm i mirë për Kosovën cili duhet të vazhdojë edhe në rregullimin e tregut të brendshëm në mënyrë që të krijojmë barazi në treg, të luftojmë evazionin fiskal, të luftojmë krimin dhe korrupsionin ta forcojmë sistemin e drejtësisë dhe vetëm në këtë mënyrë ne do të jemi një vend kredibil të pranojmë investitorët e jashtëm, për të cilët kemi jashtëzakonisht nevojë”, thotë Gashi.

Çdo vit, raporti “Të Bërit Biznes” në 190 ekonomi, matë aspekte të rregulloreve të biznesit që janë me rëndësi për sipërmarrësit, duke u fokusuar në dhjetë fusha, megjithatë, ai nuk përfshinë të gjitha çështjet që janë me rëndësi për vendimet e bizneseve.

"Të bërit Biznes" nuk e matë gamën e plotë faktorëve politikave dhe institucioneve që ndikojnë në cilësinë e mjedisit të biznesit në një ekonomi ose në konkurrueshmërinë vendore.

Po ashtu, raporti i Bankës Botërore nuk vlerëson aspektet e stabilitetit makroekonomik, zhvillimit të sistemit financiar, madhësisë së tregut, rasteve të mitos dhe korrupsionit, ose cilësisë së fuqisë punëtore.

XS
SM
MD
LG