Ndërlidhjet

Të miturit, viktima të shtuara të varësisë nga narkotikët


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Përkundër statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës lidhur me rastet e ngritura për keqpërdorimin e substancave narkotike nga të miturit dhe në shkolla, të cilat për vitin 2020 janë më të ulëta në krahasim me vitin 2019, numri i personave të moshës së mitur, të cilët abuzojnë me këto substanca është duke u rritur, thonë në Qendrën Mediko-psikoterapeutike “Labirint” në Prishtinë.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Blakaj: Më 2020, 43 të mitur kërkuan trajtim nga drogat në “Labirint”

Drejtuesi i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, defektologu Safet Blakaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë qendër janë trajtuar 2.420 persona të cilët kanë pasur probleme nga varësia nga substancat narkotike. Siç thotë ai, 9 për qind e këtij numri, janë persona të moshës së mitur.

Blakaj thotë se pavarësisht se pjesa më e madhe e vitit 2020 ka qenë periudhë e pandemisë, në qendrën që ai drejton ka pasur mjaft raste të reja të personave të mitur, të cilët janë paraqitur për trajtim, por edhe për këshillim.

“Te ne regjistrohen të gjithë ata, të cilët vijnë për herë të parë në qendrën tonë dhe kërkojnë shërbim mjekësor. Mund të jetë që kërkojnë edhe këshillim, por ata nuk regjistrohen. Ata që regjistrohen në data-bazën tonë, kërkojnë trajtim mjekësor. Numri i të miturve ka qenë 43 gjatë vitit 2020, të cilët kanë ardhur për trajtim”, tha Blakaj.

Ai konsideron se ky numër, si e dhënë statistikore, nuk është i madh në krahasim me të ashtuquajturat, të dhëna dinamike, të cilat mblidhen në terren dhe të cilat shërbejnë për të plotësuar pasqyrën e keqpërdorimit të substancave narkotike në Kosovë. Siç thotë Blakaj, të dhënat dinamike tregojnë që numri i përdoruesve të substancave narkotike është shumëfish më i madh sesa i atyre që paraqiten për trajtim ose këshillim në qendrën që ai drejton.

Policia: Për keqpërdorim të narkotikëve, 4 nxënës të arrestuar

Sipas të dhënave të Drejtorisë për hetimin e narkotikëve në kuadër të Policisë së Kosovës, për keqpërdorim dhe shpërndarje të substancave narkotike, gjatë vitit 2020 janë hapur 16 raste dhe janë arrestuar 21 persona, 4 prej të cilëve kanë qenë nxënës të shkollave, ndërkaq 17 të tjerë kanë qenë jonxënës. Në bazë të të dhënave të Policisë së Kosovës, 1 rast i arrestimit është shënuar brenda objektit shkollor, ndërkaq 6 raste janë shënuar si arrestime në oborret e shkollave. Në perimetrin prej 300 metrave në afërsi të shkollës janë shënuar 5 arrestime, ndërkaq në kuadër të planit, 4 të tjera.

Këto shifra kanë shënuar rënie në krahasim me vitin 2019, kur sipas të dhënave të Policisë së Kosovës ishin arrestuar 227 persona, prej të cilëve 37 nxënës, ndërsa 190 të tjerë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2019, policia kishte zbatuar planin operativ “Stop drogave në shkolla”. Por, në vitin 2020, zbatimi i këtij plani operativ është pamundësuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Për shkak të COVID-19, shkollat janë mbyllur. Diku rreth 80 për qind të kohës kanë qenë më shumë mbyllur se hapur dhe plani operativ që kanë qenë ‘Stop drogave në shkolla’ nuk ka pasur zbatim në baza ditore sepse njerëzit nuk kanë qenë aktivë dhe të gjitha rastet që janë evidentuar, janë në bazë të Kodit Penal”, theksoi Kelani.

Pandemia dhe mënyrat “atraktive” të keqpërdorimit të narkotikëve

Defektologu Blakaj vlerëson se gjatë vitit 2020, krahasuar me vitet paraprake, nuk ka pasur probleme shumë të mëdha në shkolla, që ndërlidhen me drogat. Shkak për këtë, sipas tij ishte pandemia e kornavirusit dhe mbyllja e objekteve shkollore për një kohë të gjatë.

Por, megjithatë, sipas tij, kjo nuk nënkupton që ka rënë numri i personave të mitur, në këtë rast nxënësve, të cilët keqpërdorin substancat narkotike. Ata, siç thotë Blakaj, gjatë pandemisë, kanë shfrytëzuar mënyra, siç i quan ai, më atraktive, të keqpërdorimit të drogave.

“Për shembull, janë mbledhur gjatë ditës, kur ka qenë lëvizja e lirë, nëpër shtëpi të caktuara. Kjo e ka bërë situatën edhe më të keqe, për arsye se ata e kanë shfrytëzuar atë moment dhe kanë përdorur së tepri droga, në këtë rast, kryesisht marihuanën. Ka pasur edhe droga tjera që i kanë provuar për herë të parë gjatë atij viti, këta që janë të rinj, nën moshën 18 vjeçe, duke përfshirë kokainën. Pra, në Kosovë janë shumë prezent dy droga që përdoren, marihuana dhe kokaina”, theksoi Blakaj.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, nuk e mohon mundësinë e keqpërdorimit të substancave narkotike nga personat e moshës së mitur jashtë shkollave. Por, sipas tij, në shkolla, statistikat kanë shënuar rënie.

“Për shkak të pandemisë kanë rënë 90 për qind të rasteve sepse shkollat kanë qenë të mbyllur. Normalisht që kur shkollat kanë qenë të mbyllura, nuk ka pasur probleme aty. Nëse një fëmijë, që është problematiku i shkollës, nuk ka qenë në shkollë, ai ndoshta e ka bërë problemin tjetërkund, por kjo nuk hyn në kategorinë ‘te shkolla’”, theksoi Kelani.

Fushatat joefikase

Strategjia shtetërore kundër narkotikëve e Kosovës e periudhës 2018-2022, e cila ngërthen në vete veprimin ndërinstitucional të Kosovës, përfshirë edhe organizatat joqeveritare, ka paraparë angazhimin e një varg mekanizmash për arritjen e objektivave në parandalimin dhe luftimin e narkotikëve në vend. Në këtë kuadër, viteve të kaluara Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka organizuar edhe fushata të ndryshme për vetëdijesimin e nxënësve në shkolla për rreziqet nga substancat narkotike.

Por, gjatë vitit 2020, sipas Leonora Shalës, koordinatore për shkollat promovuese të shëndetit në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, fushata të tilla nuk ka pasur, por është punuar shumë në adresimin e problemeve me narkotikët, në kuadër të teksteve mësimore.

“Fushatat tashmë janë të tejkaluara. Ato më nuk e ngritin vetëdijen duke bërë bilborde. Pjesa më e mirë që është bërë është te planprogramet (mësimore). Atë që nuk kishim arritur ta bëjmë për vite të tëra, tashmë kemi arritur ta fusim në kuadër të lëndëve. Është e përfshirë në shumë lëndë, të Biologjia, te Edukata qytetare, të Kimia flitet po ashtu në një pjesë për drogat. Do të thotë, është e përfshirë shumë mirë në planprogramet mësimore, tash me rishikimin e kurikulës”, theksoi Shala.

Bazuar në të dhënat nga Qendra Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, personat e mitur, pra nën moshën 18 vjeç, përfshirë nxënësit në shkolla, janë grupmosha më e atakuar nga rreziqet e keqpërdorimit të substancave narkotike. Sipas këtyre të dhënave, mosha mesatare e keqpërdoruesve të substancave narkotike në Kosovë, është 16.4 vjeç, gjë që sipas kësaj qendre, është mjaft e ulët dhe shqetësuese.

Facebook Forum

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG