Ndërlidhjet

Të paktën 200 persona të vdekur nga sulmet në Shri Lankë


Një familjar i një nga viktimave të sulmeve

Më shumë se 200 persona janë vrarë dhe rreth 500 të tjerë janë plagosur në Shri Lankë më 21 prill, si pasojë e një varg shpërthimesh që janë dëgjuar në disa hotele dhe kisha në kryeqytetin e këtij vendi, Kolombo, në të cilin besimtarët kanë festuar Pashkët.

Të paktën për gjashtë shpërthime është raportuar në mëngjesin e së dielës, ndërkohë për një tjetër shpërthim është raportuar më vonë gjatë ditës.

Në disa raportime është thënë se sulmet janë kryer nga sulmues vetëvrasës.

Ministri i Mbrojtjes së këtij vendi ka thënë se shtatë të dyshuarit e lidhur me këto shpërthime, tashmë janë arrestuar.

Tri kisha janë sulmuar në veri të kryeqytetit Kolombo, dhe një tjetër rreth 250 kilometra në lindje të kryeqytetit.

Kisha Shën Sebastian në Katuvapitia në Negombo ka publikuar disa fotografi të shkatërrimit të kishës në faqen e saj në Facebook, duke shfaqur gjak në tokë dhe kërkesë për ndihmë nga njerëzit.

Është raportuar se të paktën 50 persona kanë vdekur në këtë kishë.

Tri shpërthimet tjera është raportuar të kenë ndodhur në disa hotele me pesë yje, ka thënë policia.

Sipas zyrtarëve, në mesin e të vdekurve janë më shumë se 30 të huaj.

Ky njëherësh është konsideruar incidenti më i keq në Shri Lankë, prej luftës së përgjakshme civile që ka ndodhur një dekadë më parë.

Ministri i Financave, Mangala Samaraweera ka thënë përmes një postimi në Twitter se sulmet duket se kanë qenë “mirë të koordinuara, për të krijuar vrasje” dhe duke vrarë “njerëz të pafajshëm”.

Ministri qeveritar, Harsh de Silva ka thënë se ai ka parë “skena të tmerrshme” pas shpërthimeve dhe ka shumë të huaj në mesin e të vdekurve.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Presidenti i këtij vendi, Maithripala Sirisena u ka bërë thirrje njerëzve që të jenë të qetë dhe t’i përkrahin autoritetet në hetimet që kanë nisur.

Pas këtij incidenti, rrjetet sociale dhe platformat tjera si Facebook dhe WhatsApp janë bllokuar përkohësisht në mënyrë që të parandalohet shpërndarja e dezinformatave dhe thashethemeve.

Liderët botërorë kanë dënuar këto sulme.

Papa Françesku ka shprehur hidhërimin e tij për sulmet e përgjakshme në Shri Lankë dhe ka thënë se është me viktimat e këtij “akti kaq mizor”.

Në Shri Lankë vetëm shtatë për qind e popullsisë i takon besim të krishterë. Shumica e tyre janë budistë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG