Ndërlidhjet

Të paktën 14 persona të vrarë nga sulmi rus ndaj Kievit

E përditësuar
Pasojat e sulmit rus ndaj Kievit, 20 gusht.
Pasojat e sulmit rus ndaj Kievit, 20 gusht.

Rusia lëshoi një breshëri raketash dhe dronësh kundër Kievit, duke vrarë të paktën 14 persona dhe plagosur mbi 30 të tjerë, sipas autoriteteve ukrainase.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, raportoi nga vendi i ngjarjes se zjarre kishin shpërthyer në të gjithë kryeqytetin, ndërsa ekipet e shpëtimit po punonin për t'i shuar ato, në kohën kur Rusia vazhdonte sulmin ndaj Ukrainës.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se katet e sipërme të një ndërtese banimi nëntëkatëshe në lagjen Solomianskyi u dëmtuan dhe morën flakë gjatë njërit prej sulmeve, ndërsa në një ndërtesë tjetër banimi kishte njerëz të bllokuar. Pjesë të kryeqytetit mbetën pa energji elektrike.

Më vonë, Klitschko tha se numri i të vdekurve në Kiev ishte rritur në 13, duke njoftuar se 21 gushti është shpallur ditë zie në kryeqytet për personat e vrarë në sulm.

Sulmi masiv ndaj Kievit dhe rajonit përreth tij zgjati gjatë gjithë natës, ndërsa forcat ruse goditën zona të banuara me dronë sulmues, si dhe me raketa balistike dhe raketa të tipit cruise. Përveç viktimave në vetë qytetin, të paktën një person u vra dhe shtatë të tjerë u plagosën në rajonin e Kievit, thanë autoritetet lokale më 20 gusht.

"Rusët ishin përgatitur për një kohë të gjatë, duke kombinuar lloje të ndryshme raketash balistike, raketash lundruese dhe dronësh, me synimin për të shkaktuar sa më shumë dëme të jetë e mundur ndaj infrastrukturës civile", shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një postim në X.

Forcat ruse lëshuan dhjetëra raketa dhe 168 dronë ndaj Ukrainës gjatë natës, raportuan Forcat Ajrore të Ukrainës më 20 gusht, duke shtuar se objektivi kryesor ishte rajoni i Kievit.

"Ekipet e shpëtimit nxorën dy persona të bllokuar nën rrënoja", raportoi Shërbimi Shtetëror i Emergjencave, duke shtuar se vazhdonte të merrej me pasojat e sulmit gjatë natës në kryeqytet.

"Forcat e mbrojtjes ajrore po veprojnë në kryeqytet. Kërcënimi mbetet, andaj banorëve u bëhet thirrje të qëndrojnë në strehimore derisa të jepet zyrtarisht sinjali se rreziku ka kaluar", thanë autoritetet e Kievit në orët e para të mëngjesit të 20 gushtit.

Pasojat e sulmit rus ndaj Kievit, 20 gusht.
Pasojat e sulmit rus ndaj Kievit, 20 gusht.

Gjatë sulmit të natës të Rusisë ndaj Ukrainës, një dron hyri në hapësirën ajrore të Rumanisë dhe u rrëzua pranë kufirit me Ukrainën.

Rumania, anëtare e BE-së dhe NATO-s, aktivizoi avionë luftarakë dhe një helikopter, ndërsa dy avionë spanjollë F-18 u angazhuan gjithashtu për të monitoruar situatën.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, më vonë shkroi në X se Rusia kishte "shkelur sërish hapësirën ajrore të Republikës së Moldavisë dhe Rumanisë, ndërsa një pikëkalim kufitar ukrainas-moldav u vu në shënjestër".

"Këto nuk janë incidente të izoluara. Ato janë pjesë e sulmeve terroriste të qëllimshme dhe sistematike të Rusisë", shtoi ai.

Dronët rusë kanë hyrë vazhdimisht në hapësirën ajrore të Rumanisë dhe Moldavisë.

Në maj, një prej tyre u përplas në çatinë e një ndërtese banimi 10-katëshe në qytetin rumun Galati dhe shpërtheu, duke plagosur dy persona.

Rusia ka intensifikuar sulmet e saj me raketa ndaj Ukrainës, ndërsa vendi përballet me mungesa të mëdha të sistemeve të mbrojtjes ajrore të afta për të kapur raketat balistike me shpejtësi të lartë.

Në javët e fundit, Zelensky u ka bërë vazhdimisht thirrje aleatëve perëndimorë që të ofrojnë ndihmë shtesë ushtarake dhe i ka kërkuar Uashingtonit të përmbushë zotimin për t'i vënë në dispozicion Ukrainës licencat për prodhimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot.

"Fatkeqësisht, ndërsa Moska po investon në raketa balistike dhe përshkallëzim, sulme të tilla nuk marrin gjithmonë përgjigjen që duhet të marrin nga bota", tha Zelensky pas sulmit të 20 gushtit, duke shtuar se "për sa kohë Ukraina nuk ka mbrojtje të mjaftueshme kundër raketave balistike, Rusia nuk do ta marrë seriozisht paqen".

Ndërkohë, autoritetet rajonale në rajonin rus të Tatarstanit thanë se disa persona u plagosën pas një sulmi me dronë ukrainas që ndërpreu punën e një kompleksi industrial në Nizhnekamsk.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha më 20 gusht se forcat e saj kishin kapur dhe rrëzuar 726 dronë ukrainas mbi rajonet ruse gjatë natës.

XS
SM
MD
LG