Ndërlidhjet

Petkoviq: Serbia do të shqyrtojë dërgimin e forcave të saj në Kosovë


Petar Petkoviq

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia "do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë" në Kosovë.

Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, përkatësisht nenin 4 dhe nenin 6 të aneksit 2.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Petkoviq i bëri komentet mbrëmjen e së enjtes, pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës - pjesë e banuar me shumicë serbe.

Petkoviq tha se 300 deri në 350 policë të Kosovës - përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU - "kanë okupuar dhe bllokuar" Mitrovicën e Veriut.

Paraprakisht, edhe disa media serbe raportuan ngjashëm, por Qeveria e Kosovës i hodhi poshtë pretendimet e tilla.

Zëdhënësi Përparim Kryeziu tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e sigurisë kanë rritur praninë në veri të Kosovës, duke dërguar "vetëm policë të rendit".

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve.

Petkoviq tha se "Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit", të cilën Kosova dhe Serbia e kanë nënshkruar me ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2013.

"Atje lejohet vetëm policia e drejtorisë së veriut. Këtë të gjithë e dinë dhe të gjithë bëhen si të marrë dhe e lejojnë [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti të ndërmarrë veprime të tilla të rrezikshme, që kanë për qëllim varrosjen e Marrëveshjes së Brukselit", tha Petkoviq.

Tensionet në pjesën veriore të Kosovës janë në rritje. Në katër komunat atje - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok - pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor.

Nga 6 dhjetori u shënuan disa incidente me armë zjarri, granata dhe shok bomba, por pa pasoja në njerëz.

Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar - i kundërshton zgjedhjet.

Përfaqësuesit e saj, që kanë udhëhequr të katër komunat në veri, kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri. Dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri, si nga niveli lokal, ashtu edhe nga ai qendror.

Si kusht për kthim ata kanë nxjerrë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Edhe pse parashihet me Marrëveshjen e Brukselit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se nuk mund të lejohet formimi i një asociacioni njëetnik.

XS
SM
MD
LG