Ndërlidhjet

Çfarë do të thotë tërheqja e Rusisë nga Hersoni?


Trupat ukrainase duke rimarrë qytetin, Snihurivka në Ukrainë.
Trupat ukrainase duke rimarrë qytetin, Snihurivka në Ukrainë.

Edhe para kundërofensivës së ndërmarrë në rajonin verilindor të Harkivit, trupat ukrainase kishin goditur forcat ruse në rajonin Herson 600 kilometra në jugperëndim, të ndihmuar nga armatime të fuqishme dhe të sakta perëndimore.

Që nga mesi i tetorit, ukrainasit ishin zvarritur drejt jugut përgjatë bregut perëndimor të lumit Dniepër, duke avancuar drejt një qëllimi strategjik dhe simbolik: qytetit port të Hersonit.

Disa nga njësitë më elitare të Rusisë, përfshirë parashutistët nga Divizioni i 76-të i Gardës së Sulmimit Ajror, u siguruan që për ukrainasit të ishte një përparim rraskapitës.

Më 9 nëntor, megjithatë, komandantët rusë thanë mjaft dhe urdhëruan mijëra trupa ruse në bregun perëndimor të lumit Dnieper - deri në 30 mijë sipas një gjenerali të lartë amerikan - të tërhiqen në bregun lindor.

Nëse plani zbatohet plotësisht, ai do të përfshijë braktisjen e qytetit të Hersonit, i vetmi kryeqytet rajonal që Rusia ka pushtuar që nga pushtimi i saj i Ukrainës në muajin shkurt. Po atë ditë, forcat ukrainase ngritën flamurin e vendit mbi qytetin Snihurivka.

Me këtë, pushtimi i lëkundur tetëmujor i Rusisë hyri në fazën e tij më të re, duke i lënë analistët të pyesin sërish për qëndrueshmërinë e forcave ukrainase, jokoherencën e sulmit rus dhe pasojat politike për Kremlinin.

“Është një pengesë e madhe politike për Rusinë. Kjo zonë sapo u aneksua gjashtë apo shtatë javë më parë - ju e dini. "Rusia përgjithmonë" dhe gjithçka - dhe tani po hiqet dorë", tha Johan Norberg, një ekspert i ushtrisë ruse pranë Agjencisë Suedeze të Kërkimeve të Mbrojtjes në Stokholm.

“Ka qenë e mençur ushtarakisht për një kohë të gjatë, por ka pasur një ngurrim politik në Rusi për ta bërë këtë, sepse është një kthim prapa. Është shumë e vështirë t'i vendosësh buzëkuq këtij derri… se ajo që aneksova gjashtë, shtatë javë më parë nuk është më e jotja”, tha ai.

Shpallja e tërheqjes është pjesë e një modeli që komandantët rusë kanë ndjekur gjatë luftës, tha Ben Barry, një ish-brigadier i Ushtrisë Britanike dhe ish-drejtor i Shtabit të Ushtrisë Britanike.

“Për shembull, pas dështimit për të kapur Kievin, Rusia u tërhoq nga veriu i Ukrainës dhe ridislokoi forcat në lindje për një ofensivë në Donbas”, tha Barry.

"Ajo që ata kanë treguar, është një shkallë pragmatizmi, duke ulur humbjet e tyre pasi operacionet kanë dështuar, kjo bie në modelin që kemi parë më parë", tha Barry, tani një bashkëpunëtor i lartë për luftën tokësore në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.

“Në aspektin ushtarak, ata kanë bërë vlerësimin se nuk mund të mbajnë [bregun perëndimor të Dnieper] pa rrezik të tepruar dhe viktima të shumta”, tha ai.

Himari, ferri i urave

Forcat ruse mbajnë pjesën më të madhe të rajonit Herson që është në bregun lindor të lumit Dnieper. Kjo siguron kontrollin e një "ure tokësore" që çon nga kufiri i Rusisë me Donbasin dhe lidh Ukrainën kontinentale me Krimenë, gadishullin e Detit të Zi që Moska e pushtoi më 2014.

Automjete të shkatërruara nga luftimet ne Herson, Ukrainë.
Automjete të shkatërruara nga luftimet ne Herson, Ukrainë.

Që pozicioni i Rusisë në bregun perëndimor të Dnieper-it po bëhej i pambrojtur ishte i qartë prej javësh.

Mbërritja e armëve perëndimore - sistemet e artilerisë HIMARS të prodhuara nga SHBA dhe obusët M777, obusët Cezar të prodhimit francez, artileria vetëlëvizëse Panzerhaubitze e prodhimit gjerman, ndër të tjera, i dhanë Ukrainës aftësinë për të goditur objektivat ruse më tej prapa vijës së frontit nga një distancë më e sigurt.

Kjo përfshin kalimet e lumenjve, sic ndodhi me urën Antonivskiy, e cila u bë e pakalueshme gjatë verës për shkak të goditjeve të përsëritura me artilerinë HIMARS.

Për të rifurnizuar bregun perëndimor dhe për të rrotulluar njësitë, trupat ruse iu drejtuan urave portative dhe kalimeve të trageteve – të cilat ukrainasit i goditën gjithashtu.

"E kam thënë me javë të tëra se Rusia nuk mund ta ruajw praninë e saj në bregun e djathtë [perëndimor], sepse ukrainasit po i mbrojnë urat me sistemin HIMARS", tha Konrad Muzyka, një ekspert i mbrojtjes me bazë në Poloni dhe pronar i Rochan Consulting.

Bregu perëndimor i lumit Dnieper quhet gjithashtu bregu i djathtë, sepse ndodhet në anën e djathtë, ndërsa lumi rrjedh në jug drejt Detit të Zi.

“[Rusët] do të duhet të tërhiqen më shpejt dhe tani Dnieper do të bëhet vija e parë”, tha ai.

“Por, kjo nuk do të jetë një shëtitje në park. Ukrainasit do ta kenë shumë të vështirë ta kalojnë lumin, veçanërisht pasi ne kemi parë rusët që ndërtojnë fortifikime në bregun [lindor]”, tha ai.

"Ukrainasve do t'u duhen disa javë për të rindërtuar efektivitetin e tyre luftarak, kjo është ajo që ndodhi pas Harkivit", tha ai, "por nëse ata do të jenë në gjendje të kalojnë lumin, të vendosin një urë, nuk e di se si është e mundur pikërisht tani”.

Disa orë pas njoftimit, gjenerali Mark Milley, kryetar i shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, tha se inteligjenca amerikane po shihte indikacione për një tërheqje të trupave, numër që besohet se është 20.000-30.000.

"Unë besoj se ata po e bëjnë këtë për të ruajtur forcën e tyre, për të rivendosur linjat mbrojtëse në jug të lumit, por kjo mbetet për t'u parë", tha Milley.

“Tani për tani, treguesit e hershëm janë se ata po bëjnë atë që thonë se po bëjnë dhe ne po i shohim ata tregues të hershëm”, tha ai.

Skepticizmi ukrainas, "Maskirovka" ruse

Pastaj lind pyetja se si ndodhi njoftimi rus.

Gjenerali rus, Sergei Surovikin, i cili u emërua në fillim të muajit të kaluar për të marrë komandën e përgjithshme të luftës, e bëri rekomandimin gjatë një takimi televiziv me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Shoigu, i afërt i presidentit rus, Vladimir Putini dhe një nga ministrat e tij më jetëgjatë, ra dakord menjëherë dhe dha urdhrin në atë që dukej të ishte një shfaqje koreografike. Shoigu ka qenë nën kritika të ashpra nga nacionalistët dhe kritikët ushtarakë për mënyrën sesi ka rrjedhur pushtimi.

"Unë jam dakord me konkluzionet dhe propozimet tuaja", tha Shoigu pasi Surovikin rekomandoi tërheqjen.

"Për ne, jeta dhe shëndeti i ushtarakëve rusë është gjithmonë prioritet. Ne duhet të marrim parasysh gjithashtu kërcënimet ndaj popullatës civile", tha ai.

"Vazhdoni me tërheqjen e trupave dhe merrni të gjitha masat për të siguruar transferimin e sigurt të personelit, armëve dhe pajisjeve përtej lumit Dnieper" shtoi ai.

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu.
Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu.

Urdhri i transmetuar në televizion - një pranim në kohën kryesore për publikun rus se gjërat nuk po shkojnë sipas planit - tërhoqi skepticizëm nga ekspertët.

"Ajo që më befasoi ishte mënyra se si u dha njoftimi", tha Norberg.

“Unë jam ende i befasuar që Shoigu është ende ministër i Mbrojtjes, sinqerisht”, tha Muzyka për Radion Evropa e Lirë.

“Ai me të vërtetë duhet të jetë superafër Putinit për të mbijetuar, sepse ai është përgjegjës për forcat e armatosura ruse dhe nivelin e tyre të dobët të gatishmërisë që hyjnë në këtë luftë; ai ka qenë ministër i Mbrojtjes për 10 vjet”, tha ai.

Gjithashtu i dukshëm në njoftim ishte fakti se, vetëm gjashtë javë më parë, Putini nënshkroi dokumente që Kremlini pohoi pa bazë se e bënë Hersonin dhe tri rajone të tjera pjesërisht të okupuara të Ukrainës, pjesë të Rusisë.

Kjo do të thotë se urdhri i tërheqjes është një urdhër për të braktisur territorin që Moska e pretendon si të sajin.

Për më tepër, fakti që Hersoni është i vetmi kryeqytet rajonal që forcat ruse kanë kapur që nga pushtimi i shkurtit, do të thotë se humbja e tij do të shihej si një humbje tjetër poshtëruese.

Në maj, gjatë një udhëtimi në Herson, Andrei Turchak, zyrtari më i lartë në partinë politike të kontrolluar nga Kremlini, Rusia e Bashkuar, e shpalli qytetin përgjithmonë pjesë të Rusisë.

"Unë do të doja, edhe një herë, t'u them banorëve të rajonit Herson se Rusia është këtu përgjithmonë", tha ai dhe shtoi: "Nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë”.

“Politikisht, ky është një lajm i keq për Rusinë, sepse Putini po heq dorë nga një provincë që ai ishte përpjekur ta shkëpuste nga Ukraina”, tha Mark Cancian, një analist ushtarak në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

"Ushtarakisht, është shumë e arsyeshme", tha Cancian në një e-mail.

“Forcat ruse në bregun perëndimor të lumit Dnieper ishin të paqëndrueshme. Tërheqja e tyre në bregun lindor do t'i bëjë të sigurt dhe do të çlirojë disa trupa për të forcuar linjën diku tjetër.

“Ka shumë gjëra që po ndodhin rreth kësaj tërheqjeje, të cilat unë nuk i kuptoj plotësisht. Unë jam duke luftuar për t'i kuptuar", tha Muzyka.

“Rusët kanë publikuar shumë në lidhje me këtë tërheqje deri në pikën që më bën të dyshoj për qëllimet e tyre. Ka shumë nuanca gri në këtë luftë dhe në këtë ngjarje të veçantë”.

Sfidat përpara

Zyrtarët ukrainas ndanë këtë skepticizëm, duke sugjeruar se njoftimi mund të ishte një shtirje për të joshur forcat ukrainase në një kurth.

Natalya Humenyuk, një zëdhënëse e Komandës Jugore të Ukrainës, i tha kanalit televiziv rus Dozhd se mund të jetë një masë "operacione psikologjike" që synon maskimin e planeve të Rusisë.

"Veprimet flasin më shumë se fjalët", tha Mykhaylo Podolyak, një këshilltar i lartë i presidentit Volodymyr Zelensky, në një postim në Twitter.

“Ne nuk shohim asnjë shenjë se Rusia po e lë Hersonin pa luftë…. Ukraina po çliron territore bazuar në të dhëna të inteligjencës, jo në deklarata të inskenuara televizive”, tha ai.

Megjithatë, çdo avancim i mëtejshëm i Ukrainës - qoftë në jug në qytet ose në juglindje në bregun e lumit aty pranë - do të jetë problematik për shkak të kurtheve, ose i ngadalshëm, për shkak të urave dhe kalimeve të shkatërruara nga rusët për të ngadalësuar përparimin.

Komanda jugore e Ukrainës tha në një deklaratë se trupat tashmë po përballeshin me minat tokësore dhe bllokadat e ndërtuara në rrugë nga Rusia. Podolyak tha se forcat ruse kishin minuar "çdo gjë që mundnin" në qytetin Herson, duke përfshirë apartamente dhe kanalizime.

"Rusët nuk do ta japin atë falas, duke folur ushtarakisht", tha Norberg.

“Ata kanë qenë atje për një kohë, duke vendosur gracka në shtëpi. Ata gjithashtu mund t'i lënë njerëzit pas, në mënyrë që kur të hyjnë, ukrainasit të duhet të shkojnë në luftime urbane”, tha ai.

Në pranverë, trupat ruse rrethuan qytetin port të Mariupolit, në Detin Azov, por e rrafshuan atë pasi Ukraina bëri rezistencë shumë të fortë.

Një ushtar ukrainas duke sulmuar trupat ruse.
Një ushtar ukrainas duke sulmuar trupat ruse.

Herson, nga ana tjetër, ka qenë relativisht i padëmtuar, duke lënë pyetjen: A dëshiron Moska t'i detyrojë ukrainasit në luftime rrugë më rrugë që mund të shkatërrojnë një qytet tjetër.

“Pyetja është më shumë politike sesa ushtarake. Deri në çfarë mase dëshiron Moska që ukrainasit të luftojnë për qytetin dhe ta shkatërrojnë atë në masë të madhe?”, tha Muzyka.

"Rusia gjithashtu mund të lërë pas disa nga trupat e saj të mobilizuar për të luftuar për qytetin - derisa të vdesin", thotë ai.

Mes blogerëve ushtarakë rusë që kanë luajtur një rol të gjerë në Telegram duke kritikuar mënyrën se si është zhvilluar lufta, njoftimi i tërheqjes u pa me shqetësim dhe si një tjetër tregues i problemeve të thella institucionale në ushtrinë ruse.

"Ajo që po ndodh është [rezultat i] një kombinim gabimesh katastrofike të bëra, vite e muaj problemesh të pazgjidhshme dhe mungesës së fondeve të nevojshme", tha kanali pro-Kremlinit, Voyenny Osvedomitel (Informator Ushtarak), në një postim pak para shpalljes.

Ai tha se "muaj vendimesh të gabuara sistematike dhe dështimi për të korrigjuar gabimet na kanë sjellë këtu".

Përgatiti: Shkëlqim Hysenaj

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG