Ndërlidhjet

Tërmet i ri në kufirin turko-sirian


Shkatërrimi në qytetin turk Antakia nga tërmetet e 6 shkurtit. Fotografi nga arkivi.
Shkatërrimi në qytetin turk Antakia nga tërmetet e 6 shkurtit. Fotografi nga arkivi.

Një tjetër tërmet ka goditur të hënën rajonin kufitar të Turqisë dhe Sirisë, vetëm dy javë pasi kjo zonë është shkatërruar nga tërmetet që kanë lënë të vdekur mbi 47.000 njerëz.

Tërmeti i së hënës, këtë herë 6.3 shkallë i Rihterit, ka pasur epiqendër qytetin jugor turk, Antakia dhe është ndier në Siri, Egjipt dhe Liban.

Thellësia e këtij tërmeti ka qenë vetëm dy kilometra, sipas Qendrës Evropiane Sizmologjike.

Kryetari i qytetit Hataj, në jug të Turqisë, ka thënë se ka njerëz që kanë mbetur nën rrënoja si pasojë e tërmetit të fundit.

Zëvendëspresidenti turk, Fuat Okta, ka thënë se të paktën tetë persona janë plagosur.

Muna Al Omar ka thënë se ka qenë në një tendë në qytetin Antakia kur e ka dëgjuar tërmetin e fundit.

“Mendova se toka do të çahet dhe do të hapet nën këmbët e mia”, ka thënë ajo duke qarë me djalin e saj shtatëvjeçar në krah.

Disa orë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë gjatë një vizite në Turqi se Uashingtoni do të ndihmojë aq sa të ketë nevojë në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmeteve të para të 6 shkurtit.

Sipas autoriteteve turke, vetëm në Turqi kanë vdekur mbi 41 mijë persona nga tërmetet mbi 7 shkallë të dy javëve më parë.

Numri i viktimave pritet të rritet, derisa besohet se mbi 385.000 banesa janë shkatërruar apo janë dëmtuar rëndë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se puna për ndërtim të gati 200.000 banesave në 11 provincat e prekura nga tërmeti në Turqi, do të nisë muajin e ardhshëm.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se ndihma totale amerikane për të prekurit nga tërmeti në Siri dhe Turqi ka arritur në 185 milionë dollarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG