Ndërlidhjet

"Terroristi" në Hollywood: Abu Nazir dhe "Homeland"


Navid Negahban
Navid Negahban
Aktori iraniano-amerikani Navid Negahban është një nga yjet e një seriali jashtëzakonisht të popullarizuar televiziv amerikan, “Homeland”, tema e të cilit, sillet rreth komploteve të agjentëve të CIA-s, një ish-të burgosuri të luftës, dhe kërcënimeve terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara.

Në dhjetor, “Homeland” përfundoi sezonin e tij të dytë në kanalin Showtime dhe në fillim të këtij muaji ua shtoi edhe tri çmime Emmy, atyre paraprake të fituara vitin e kaluar. Presidenti Barack Obama është në mesin e tifozëve të tij më të mëdhenj.

Për dy sezona, Negahban ka luajtur karakterin hakmarrës të Abu Nazirit, një organizator islamik terrorist, që kërkon hakmarrje në Shtetet e Bashkuara për shkak të një sulmi me aeroplanët pa pilotë, në të cilin u vra një nga djemtë e tij të rinj.

Negahban u lind në qytetin Mashhad në verilindje të Iranit në vitin 1968, dhe u hipnotizua nga aktrimi dhe arti që në një moshë të re.

Pasi që shkoi në Gjermani, ai studioi aktrimin dhe teatrin për afër tetë vjet, para se të nisej për në Los Angjelos për ta sprovuar fatin e tij si një aktor.

Rreziku iu shpagua: ai ka fituar role si në filma, ashtu edhe në televizione.

Në një intervistë për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, Negahban tregon se si e fitoi rolin në serialin e popullarizuar.

Agjenti im ma dha skenarin e papërfunduar të “Homeland”. Unë e njihja ekipin e produksionit pasi kam luajtur me ta në serialin “24”. Një nga shkrimtarët e kishte përkthyer një libër për shkrimtarët dhe poetët e ndryshëm në gjuhën angleze, dhe një nga poetët në atë libër ishte iraniani Forough Farokhzad. Unë e pashë njërin nga producentët e “Homeland”, Howard Gordon, duke e lexuar këtë libër. E njihja atë nga “24”-shi. Shkova tek ai dhe e pyeta: A e keni gjetur dikënd për karakterin e Nazirit”, shpjegon Nagahban, duke pranuar se ka qenë ai vetë që ka kërkuar të luajë kakrakterin e terroristit Abu Nazir.

E dija së dëshiroja ta luaja Abu Nazirin, edhe pse në episodin pilot, Abu Naziri kishte vetëm pak rreshta. Agjenti dhe menaxheri imë më thanë se isha i çmendur, që po pranoja të luaja diku, ku ishin vetëm dy rreshta për mua”, rrëfen Nagahban, duke përshkruar se kishte diçka më thelbësore prapa atyre dy rreshtave.

Ishte një lloj shumë i ndryshëm i skenarit, Pashë gjëra të mira aty. Ishte revolucionar. Askush nuk kishte parë diçka të tillë më parë në televizionet në SHBA”, tregon Negahban.

Ai thotë se në skenar nuk ishte qëllimi i krijimit të heronjve. Sipas tij, Abu Nazir, ishte një njeri me synime, i vendosur për të luftuar për atë që e dëshiron. Negahban, thotë se kur ka shkuar në audicion, nuk ka lexuar asnjë rresht nga skenari, por, duke biseduar me një producent ttjetër të Homeland, kanë zbuluar se kanë të njëjtën pikëpamje për karakterin e Abu Nazirit.

Mendoj se një nga gjërat që e bëri këtë shfaqje të ketë sukses të tillë është aftësia për të na treguar pasojat e asaj që bëjmë. Ne bëjmë gjëra, por zakonisht nuk kemi aftësinë për t’i parë ato nga afër. Andaj, unë mendoj se seriali i bëri njerëzit, që të mendojnë për atë se çfarë kanë bërë. Unë kam qenë në Izrael duke xhiruar, dhe derisa po pinim çaj, një person m’u afrua dhe më pyeti, nëse jam duke e luajtur Abu Nazirin. Kur i pohova, më falënderoi duke shtuar se ‘është mirënjohës, sepse për herë të parë, e sheh edhe anën tjetër.’ Kjo ishte dhurata më e mirë për mua”, shprehet ai.

Por, tash kur ky karakter, Abu Naziri, është vrarë në serial, cili do të jetë projekti i ardhshëm i Navid Negahbanit?

Tash jam duke punuar me “CSI: New York”, që mund të shfaqet në pranverë, dhe në një projekt tjetër i quajtur “The Game”, që po xhirohet në Atlanta. Ka pasur edhe disa skenarë të tjerë filmash, por do të shohim nëse do kenë sukses. Nëse jo, nëse vini në restorant, mund të ndodhë që unë do t’ju shërbejë”, qeshet Negahban.(a.i.)


Paraqitje e shkurtër e serialit
XS
SM
MD
LG