Ndërlidhjet

Tesla nuk do të pranojë më Bitcoin


Elon Musk.
Elon Musk.

Kompania amerikane Tesla ka njoftuar se nuk do të pranojë më kryerje të pagesave me kriptovalutën Bitcoin, duke e arsyetuar këtë vendim me çështje të ambientit.

Tesla është e shqetësuar për rritje të përdorimit të lëndëve djegëse për transaksione me Bitcoin, sidomos të thëngjillit, ka thënë shefi i kësaj kompanie Elon Musk.

Çmimi i kriptovalutës Bitcoin ka rënë menjëherë për mijëra dollarë, pas njoftimit të kompanisë.

Më saktësisht vlera e Bitcoinit ka rënë në 48,000 dollarë – më shumë se 15 për qind më e ulët sesa një ditë më parë.

Përveç kësaj kriptovalute, edhe monedha digjitale të ngjashme si Ether, Dogecoin, Binance Coin dhe Ripple janë përballur me rënie të ngjashme.

Megjithatë, Musk e ka bërë të qartë se vazhdon të përkrahë këtë industri.

“Kriptovaluta është ide e mirë në shumë nivele dhe ne besojmë se ka të ardhme premtuese, mirëpo nuk mund të ndodhë diçka e tillë duke i shkaktuar dëm të madh ambientit”, ka thënë Musk përmes një postimi në Twitter.

Tesla ka nisur të pranojë Bitcoin për blerje të makinave elektrike në muajin mars.

Bitcoin është kritikuar tash e një kohë nga ambientalistët për konsumim të madh të energjisë për prodhim të valutave përmes proceseve kompjuterike.

XS
SM
MD
LG