Ndërlidhjet

Thaçi arrin në Tiranë, të dielën i drejtohet opinionit


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi se ka arritur në Aeroportin e Tiranës dhe se të dielën do t'i drejtohet opinionit.

Thaçi ka qenë jashtë Kosovës dhe ka ndërprerë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, pasi Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka paraqitur të mërkurën aktakuzë për krime lufte kundër tij, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

"Sapo kam zbritur në Aeroportin 'Nëna Terezë' në Tiranë, ndërkaq, të dielën në mbrëmje do t’ju drejtohem me një fjalë nga zyra ime. Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara", shkroi Thaçi në Facebook.

Më herët, në një postim në Instagram, ai tha se “askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e "të tjerëve", siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afro 100 vrasje të paligjshme".

"Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara, shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, tha Zyra e Prokurorit Special.

Reagimi i Veselit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.

“Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Po ashtu, nuk ka kurrfarë baze për pretendimet për pengim të punës së gjykatës. Dhe është shqetësim i thellë gjuha e tillë e adresimit me të pavërteta”, ka thënë Veseli.

Deklarata e Veselit pas ngritjes së aktakuzës kundër tij
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:56 0:00

Një tjetër shqetësim sipas Veselit, është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij prokurori janë krejtësisht politike.

Grenell paralajmëron takim të ri pas anulimit të udhëtimit të Hotit

Lajmi për ngritje të aktakuzës e ka gjetur Thaçin në rrugë drejt Shteteve të Bashkuara, ku ishte planifikuar të mbahej një takim me zyrtarët serbë, me ndërmjetësim të të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes këtyre dy shteteve, Richard Grenell.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë është parë si rinisje e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, pasi Kosova u ka vënë taksë 100 për qind mallrave të importuara nga Serbia, për shkak të fushatës së saj kundër pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të enjten në Bruksel se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë dhe se Kosova, sipas tij, ka një maturi të duhur institucionale për të tejkaluar çdo situatë me të cilën përballet.

Ai gjatë udhëtimit në Bruksel ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e Uashingtonit.

Hoti: Kosova ka maturi të duhur institucionale për të tejkaluar çdo situatë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:58 0:00

I pyetur se pse nuk ka shkuar në Uashington, pasi e ka mandatin dhe platformën për dialog, dhe çfarë e shtyri të anulojë këtë vizitë, Hoti ka thënë se ka pasur konsultim me Grenellin, të cilit i ka propozuar shtyrjen e këtij takimi për një ditë tjetër, për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur një ditë më parë.

“Çështjet që lidhen me drejtësinë, siç ishte vendimi i djeshëm, unë besoj se nuk duhen të komentohen, por besoj se duhen të respektohen plotësisht. Unë besoj se si Kosovë kemi tani një maturi insitucionale për t’u marrë dhe për të tejkaluar çfarëdo situate”, ka thënë ai.

XS
SM
MD
LG