Ndërlidhjet

Thaçi kërkon që BE-ja ta dënojë "gjuhën raciste" të kryeministres serbe


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë se gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, është "edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës".

Komentet e Thaçit vijnë një ditë pasi Bërnabiq, në prani të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, tha se e shqetëson situata në Kosovë, sepse, sipas saj, ka zyrtarë shtetërorë "që vërtet kanë dalë prej malit”.

Deklarata e kryeministres Bërnabiq
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:47 0:00

Thaçi kërkoi nga Bashkimi Evropian që sa më shpejt ta dënojë dhe të distancohet nga kjo "gjuhë raciste" e zyrtarëve të Serbisë, e cila, sipas tij, nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim.

​“Ky veprim nuk paraqet asgjë të re dhe të jashtëzakonshme për ne, sepse ne e dimë shumë mirë karakterin gjenocidial të Serbisë së djeshme dhe asaj të sotme”, tha Thaçi.

“Por, i jashtëzakonshëm dhe zhgënjyes për ne është vetëm fakti i hidhur që BE-ja nuk e dënon këtë sjellje raciste dhe antievropiane të Serbisë. Përkundrazi, BE-ja vazhdon t'i mbajë dyert e hapura për një shtet që ka kryer gjenocid dhe që nuk beson në vlerat evropiane as sot”, tha Thaçi.

Bërnabiq i bëri komentet të mërkurën, kur ambasadori i BE-së, Fabrizi, i dorëzoi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë, delegacioni i BE-së në Beograd nuk deshi t'i komentojë deklaratat e Bërnabiqit.

Ajo po ashtu tha se disa prej udhëheqësve në Kosovë "janë edhe terroristë që nuk janë dënuar" dhe që "kanë qenë të akuzuar në Tribunalin e Hagës", porse nuk janë dënuar sepse "të gjithë dëshmitarët janë vrarë".

Bërnabiq tha të enjten se nëse dikush i thotë asaj raciste, këtë e përjeton si frazë politike.

"Ata kanë dalë prej malit, sepse kanë dalë prej malit. Ata kanë qenë me uniforma në mal. Direkt nga mali janë bërë pjesë e elitës politike në Prishtinë dhe kanë nisur të udhëheqin institucione. Do të doja që të vinin nga sektori joqeveritar, por jo. Dhe, nuk mendoj se të gjithë kanë dalë nga mali. Behxhet Pacolli (v.j. ministri i Jashtëm i Kosovës) nuk ka dalë nga mali dhe më çudit që e ka gjetur veten në atë mes", tha Bërnabiq, në një konferencë për gazetarë në Beograd, së bashku me kryeministrin e Sllovakisë, Peter Pelegrini.

Ajo tha se ka miq shqiptarë dhe se është krenare për miqësinë me ta.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, përmes një postimi në Twitter, tha se deklarata e Bërnabiqit ishte "e neveritshme dhe tërësisht e papranueshme".

Sipas Pacollit, ky "racizëm i institucionalizuar" i ka rrënjët në ideologjinë e sëmurë ultranacionaliste.

Kosova dhe Serbia, qysh në vitin 2011, kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së.

Procesi i bisedimeve aktualisht ka ngecur, për shkak të, siç është thënë, taksës që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia.

Në një tjetër postim në Twitter, Pacolli tha se nuk do të lejojë Bërnabiqin të hyjë në Kosovë përderisa ajo vazhdon me "ideologjinë raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës".

Lexoni edhe këtë: Pse shqiptarët për Vulinin janë 'shiptari'?

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG