Ndërlidhjet

Në Ditën e Presidentit bëhet thirrje për unitet të spektrit politik


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Me rastin e 24 majit, Ditës së Presidentit, ish-presidentët e Kosovës kanë zhvilluar disa aktivitete dhe kanë bërë thirrje për unitet të spektrit politik.

Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ish-presidentët Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe Atifete Jahjaga, kanë bërë homazhe te shtatorja e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Me këtë rast, presidentja Osmani tha se ish-presidenti Rugova ishte arkitekt i shtetit të Kosovës, dhe siç theksoi ajo, "ai ndikoi në bashkimin e mbarë popullit".

"Zgjedhjet e para presidenciale të 24 majit të vitit 1992, shënuan themelimin e institucioneve të para të Kosovës dhe ishin mesazh i qartë i qëllimeve të popullit për liri dhe pavarësi", tha Osmani.

Edhe ish-presidentët e Kosovës kanë vlerësuar lartë figurën e Rugovës, duke thënë se "Rugova ishte ikonë e pamposhtur e të gjitha kohërave".

Ish-presidentët thanë se Rugova e ka udhëhequr Kosovën në periudhën më të rëndë të Kosovë, në kohën kur rrezikohej edhe shfarosja.

Me këtë rast ish-presidentja, Atifete Jahjaga, ka bërë thirrje që spektri politik i Kosovës të jetë i bashkuar, sidomos për procese e çështje të rëndësishme.

"Kosova ka nevojë dhe domosdoshmëri për të qenë unike, sidomos për proceset më të rëndësishme për vendin tonë, edhe në ketë periudhë të pandemisë me të cilën po ballafaqohemi", tha Jahjaga.

Kosova ka pasur gjashtë presidentë, Ibrahim Rugovën, Fatmir Sejdiun, Atifete Jahjagën, Behgjet Pacollin, Hashim Thaçin dhe tash Vjosa Osmanin.

Në Kosovë, 24 maji shënohet si Dita e Presidentit.

XS
SM
MD
LG