Ndërlidhjet

UEFA ndëshkon Hungarinë për sjelljen e tifozëve


Tifozë hungarezë të futbollit

Federata Evropiane e Futbollit, UEFA, urdhëroi Hungarinë të luajë dy ndeshje të ardhshme pa spektatorë, për shkak të, siç tha, “sjelljes diskriminuese të mbështetësve të saj” gjatë kampionatit evropian, Euro 2020.

Vendimi i UEFA-s pason hetimet për parulla të pretenduara homofobike dhe zhurma majmunësh, gjatë ndeshjeve të fazës së grupeve të Hungarisë, muajin e kaluar në Budapest dhe Mynih.

Hungaria luajti dy ndeshjet e para të turneut kundër Portugalisë dhe Francës në Budapest.

Më 20 qershor, UEFA caktoi një inspektor të etikës dhe disiplinës për të hetuar “incidentet e mundshme diskriminuese” gjatë atyre dy ndeshjeve.

Hetimi u zgjerua disa ditë më vonë, pas ndeshjes midis Gjermanisë dhe Hungarisë në Mynih.

Gjatë ndeshjes me Portugalinë, në mediat sociale qarkulluan imazhe të tifozëve hungarezë, duke mbajtur parulla që lexonin: “ANTI LMBTQ” - një referencë për komunitetin homoseksual në gjuhën hungareze.

Organi disiplinor i UEFA-s mori vendim që Hungaria të luajë tri ndeshjet e saj të ardhshme, në kuadër të garave të UEFA-s, pa tifozë. Por, vendimi për ndeshjen e tretë të tillë u pezullua për një periudhë provuese dyvjeçare.

Federata hungareze e Futbollit gjithashtu u gjobit me 100,000 euro.

Hungaria nuk është planifikuar të luajë ndonjë ndeshje të UEFA-s deri në Ligën e Kombeve, më 2022-23, e cila fillon në qershor të vitit të ardhshëm.

Urdhri nuk zbatohet për kualifikimet e Kupës së Botës, të cilat bien nën juridiksionin e Federatës Botërore të Futbollit - FIFA.

XS
SM
MD
LG