Ndërlidhjet

Tifozët në ethe para ndeshjes finale për Kupën e Botës


Disa studente duke pikturuar portretet e lojtarëve të Argjentinës dhe Francës, para finales në Katar.
Disa studente duke pikturuar portretet e lojtarëve të Argjentinës dhe Francës, para finales në Katar.

BBC

Tifozët në Francë dhe Argjentinë janë duke numëruar edhe sa orë kanë mbetur para nisjes së finales së Kampionatit Botëror të Futbollit, Kuba e Botës, që këtë herë është organizuar në Katar.

Ngjarja, që nis në orën 16:00, është historike për të dyja palët.

Franca synon të bëhet vetëm shteti i tretë që rifiton trofeun në historinë e saj 92-vjeçare, pas Italisë dhe Brazilit.

Trajneri i ekipit Didier Deschamps – i cili ka qenë kapiten i ekipit kur ka fituar Franca më 1998 – synon të bëhet menaxheri i parë pas Vittorio Pozzos së Italisë për të fituar titujt radhazi.

Për Argjentinën, shpresat dhe ëndrrat e kombit janë mbi supet e Lionel Messit.

I njohur si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, ai shpreson të kurorëzojë karrierën e tij me fitore në Kupën e Botës.

Messi, 35-vjeçar, ka deklaruar se kjo do të jetë ndeshja e fundit që luan për kombëtaren e Argjentinës në një organizim të tillë.

Tifozët argjentinas.
Tifozët argjentinas.

Kupa e Botës si shtendosje në Buenos Aires

Në Buenos Aires duket se lumturia e së ardhmes varet nga kjo finale.

Argjentina është shtet në krizë të thellë ekonomike.

Inflacioni i lartë nënkupton se miliona njerëz kanë probleme çdo muaj.

Por, javëve të fundit, Lionel Messi dhe ekipi i Argjentinës janë duke lënë anash shqetësimet e shumicës që është fokusuar në futboll.

“Ky shtet është goditur aq shumë, Kupa është duke na bashkuar, ne e kemi këtë personalitet, futbollistin më të mirë në botë, atë e do secili”, ka thënë pronari i një bari, Luis Sarni.

Përveç Messit, edhe pjesa tjetër e ekipit është duke e bërë shtetin të lumtur.

“Secili në Argjentinë e sheh veten si trajner, secili e ka një mendim ndryshe, mirëpo kur festojmë – qajmë, qeshim bashkë”, ka thënë Luis.

Festa e tifozëve argjentinas pas fitores ndaj Kroacisë.
Festa e tifozëve argjentinas pas fitores ndaj Kroacisë.

Për Martin Rojas, një burrë argjentinas që jeton në Francë, mirëpo i cili është kthyer për pushime në familje, ndeshja e së dielës do të thotë shumë.

“Është ëndrra ime – prej kur kam lindur në vitet 90, nuk e kam parë Argjentinën kampione të botës”, ka thënë ai.

“Për Messin është ndeshja e tij e fundit në këtë lloj kampionati, është mundësi shumë e mirë për të”.

Kjo duket edhe si mundësi e Argjentinës për t’u ndjerë krenare me shtetin e bukur, ndonëse në shumë telashe.

Vetëbesim në Paris

Edhe në Paris gëzimi vërehet në ajër.

Ndeshja e së dielës shënon finalen e katërt për Francën në shtatë kampione të Kupës së Botës.

Sipas statistikave të tifozëve, Franca nuk është mposhtur në 10 ndeshje kundër ekipeve të Amerikës Jugore.

Humbja e fundit ka qenë më 1978 – nga Argjentina.

Tifozët e ekipit francez në Paris.
Tifozët e ekipit francez në Paris.

Kjo situatë sjell në kujtesë komentet e famshme të futbollistit francez, Killian Mbappe më herët gjatë këtij viti, që futbolli i Amerikës Jugore nuk është aq i “avancuar” sa ai evropian, për shkak të nivelit “më të ulët” të konkurrencës atje.

Ai i është referuar faktit që hera e fundit kur një ekip i Amerikës Jugore ka fituar Kupën e Botës ka qenë Brazili më 2002 – dhe se Argjentina nuk ka fituar prej vitit 1986.

Këto dhe shumë aspekte tjera e bëjnë Francën të rrisë vetëbesimin, ani pse, në anën tjetër, për Argjentinën ky realitet mund të jetë më shumë shtytje për fitore.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe gruaja e tij, Brigitte kanë udhëtuar për ta parë ndeshjen në Katar.

Ata do të shoqërohen nga një delegacion i personaliteteve të sportit.

Presidenti Macro me gruan e tij në Katar.
Presidenti Macro me gruan e tij në Katar.

Kjo është hera e dytë që Macron udhëton në Katar brenda katër ditëve, duke e përmbushur premtimin që e ka bërë në fillim të garës, për të marrë pjesë në gjysmëfinalen e Francës kundër Marokot.

Në fillim të kampionatit, presidenti Macron ka pasur kritika për shkallën e të drejtave të njeriut në Katar, mirëpo sa më shumë që Franca ka fituar në këtë organizim, aq më të pakta janë bërë thirrjet për bojkot.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG