Ndërlidhjet

Traumat e lindjes që nuk u gjykuan


Tetë vjet në kërkim të drejtësisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:21 0:00

Tetë vjet në kërkim të drejtësisë

Tetë vjet më parë, në Klinikën Gjinekologjike në Prishtinë, Salie Gajtani Osmankaq, thotë se u përball me vdekjen, për shkak të, siç shprehet, neglizhencës së një ekipi mjekësor që udhëhoqi procesin e lindjes së fëmijës së saj të tretë.

Ajo paditi ekipin mjekësor, por ai ekip nuk u gjykua asnjëherë. Padia mbeti në sirtarët e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Salie Gajtani Osmankaq, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, përmes Skype-it nga Nairobi ku aktualisht jeton, thotë se kurrë nuk do t’i harrojë traumat që i përjetoi më 4 janar, 2013.

Thotë se traumat që i përjetoi atë ditë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë e përcjellin edhe tani.

“Krejt çfarë mbaj mend para se të më përkeqësohej gjendja deri në prag të vdekjes, ishte një nënë të re, e cila po bëhej nënë për herë të parë dhe e cila ka qenë aty. Ajo më shikonte dhe askush tjetër. Tutje sallës, ku qëndrojnë nënat, rrinte stafi (mjekësor) dhe nuk afroheshin, nuk më ofronin asnjë ndihmë....”, tregon Salia.

Siç kujton Salia, dhimbjet po i bëheshin të padurueshme. Ajo rrëfen se kishte filluar të humbte forcën dhe nuk po arrinte të ngrihej në këmbë që të shkonte në sallën ku po qëndronte ekipi mjekësor, për të kërkuar ndihmë, gjë të cilën e kishte bërë kohë pas kohë gjatë asaj nate.

“Kisha dhimbje dhe e di që kam kërkuar ndihmë edhe me zë të lartë. Por, ndihma nuk më ofrohej. Në një moment, e di që kam thënë me zë të lartë: ‘Së paku shpëtoni fëmijën, se unë po vdes’”, tregon ajo.

Dy lindjet e para, Salia i kishte bërë me operacion cezarian dhe lindja e tretë do të duhej të kryhej në atë mënyrë, pasi që rrezikohej shëndeti i saj. Por, ekipi mjekësor erdhi pas disa orësh dhe e dërgoi në një sallë tjetër.

Ishte bërë vonë që lindja të kryhej me operacion dhe duhej të bëhej në mënyrë natyrale.

“Unë atë gjë nuk mund ta bëja sepse unë e ndjeja se diçka po ndodhte në trupin tim dhe nuk mund ta bëja, sepse tek unë vetëm kishte filluar gjakderdhja e brendshme, ishin shqyer plagët e dy operacioneve të mëhershme, kishte prekur disa organe të mija, siç është mëlçia, veshkat - nga gjakderdhja e brendshme. Atëherë, ata më kërkonin të nënshkruaj diçka, në atë gjendje, në të cilën unë, herë pas here, nuk mbaja mend asgjë, do të thotë bija në komë dhe zgjohesha sërish”, thotë Salia.

Pas nënshkrimit të atij dokumenti, lindja filloi të kryhej me vakuum.

Lindja përfundoi, por jo edhe vuajtjet, thotë Salia. Gjendja e saj shëndetësore nuk ishte e mirë, ndonëse, sipas saj, ekipi mjekësor kujdestar kishte konstatuar se gjithçka kishte kaluar në rregull.

Klinika e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Klinika e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Por, këtë nuk e konstatoi ekipi tjetër mjekësor që nisi punën në mëngjesin e datës 5 janar, 2013.

Në këtë ekip mjekësor, thotë Salia, ishin disa mjekë që ajo i njihte dhe bashkëshorti i një shoqes së saj, i cili, siç kujton Salia, ishte tmerruar kur ka parë gjendjen e saj shëndetësore.

“Gjendja ime nuk ishte e mirë. E mbaja mend, i shikoja duart e mia tek ishin të verdha në të zezë, dridhesha shumë, kisha shumë të ftohtë dhe kisha shumë dhimbje”.

Mjekët konstatuan se ajo kishte gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme dhe ishin detyruar ta operonin menjëherë.

Operacioni zgjati katër orë dhe Salia i shpëtoi vdekjes. Por, jeta e saj ndryshoi në aspektin shëndetësor.

“Pas asaj kohe më kanë përcjellë vuajtjet për një kohë shumë të gjatë. Diku për afro 2 vjet e kam pasur jostabil qëndrimin në këmbë. Për tre muaj rrëzohesha sapo ngrihesha në këmbë, probleme të njëpasnjëshme. Por, unë, si një njeri me motiv shumë të lartë, kam një karakter të fortë dhe asnjëherë nuk jam dorëzuar”, shprehet Salia.

Pasi mori vetën dhe shëndeti i saj filloi të përmirësohej, Salia iu drejtua Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Ajo bëri padi ndaj ekipit mjekësor kujdestar të asaj nate në Klinikën e Gjinekologjisë. Por, ky rast nuk u zbardh kurrë, ai u zhduk, thotë ajo.

Salia dyshon se e gjithë kjo që përjetoi në natën e 4 janarit të vitit 2013 kanë të bëjnë me punën e saj si gazetare dhe raportimet që i bëri lidhur me sistemin shëndetësor.

Në Klinikën e Gjinekologjisë, drejtori aktual i kësaj klinike, Jakup Ismajli, tha për Radion Evropa e Lirë se janë të informuar lidhur me këtë rast, por që nuk e dinë sa çfarë veprime u morën në atë kohë për ekipin kujdestar të asaj nate.

“Sa jam i informuar me këtë rast është marrë menaxhmenti i asaj kohe, është marrë këshilli profesional, por a ka vazhduar procedura me prokurori dhe gjyqësi nuk kam informacione”, thotë ai.

Drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismajli.
Drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismajli.

Për rastin e Salie Gajtani Osmankaq, Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për të marrë informacione, por, nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Jo rrallë herë pacientët që trajtohen në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe në institucionet tjera shëndetësore, ankohen për neglizhencë që mjekët tregojnë ndaj tyre, thotë Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se në vit vijnë deri në 200 ankesa nga pacientët për stafin shëndetësor.

“Në pranojmë ankesa të vazhdueshme për neglizhencë të mjekësve dhe stafit tjetër shëndetësor ndaj pacientëve. Problemi është që nuk ka një mbikëqyrje të punëtorëve shëndetësorë nëpër institucione shëndetësore dhe kjo ka ndikuar që shumë punëtorë të sillen sipas mënyrës së vet, e cila ka acaruar pacientët dhe nuk janë të rastësishme konfliktet që ndodhin me mes stafit shëndetësor dhe pacientëve sepse në disa raste iu cenohet që të marrin shërbimin shëndetësor dhe e drejta për t’u trajtuar me dinjitet në institucionet shëndetësore”, thotë Kodra.

Salia aktualisht jeton në Nairobi të Kenias, por ajo thotë se do të kthehet një ditë përsëri në Kosovë dhe do të kërkojë përsëri drejtësi.

Vajza e tretë e Salies, e quajtur Era, të cilën e solli në jetë në natën e 4 janarit të vitit 2013, tashmë ka mbushur 8 vjet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG