Ndërlidhjet

Çfarë po ndodh në Mineapolis të SHBA-së?


Një burrë mban në duar një pano ku shkruhet "Drejtësi për George".
Një burrë mban në duar një pano ku shkruhet "Drejtësi për George".

Në Mineapolis të Shteteve të Bashkuara protestuesit i vënë zjarrin një stacioni të policisë, në ditën e tretë të trazirave,për shkak të vdekjes së një personi me ngjyrë në paraburgim.

Trazirat vazhduan edhe të premten, përkundër vendosjes së qindra pjesëtarëve të Gardës Kombëtare për të rivendosur rendin.

*Video: Pamje nga përleshjet mes protestuesve dhe policisë në Mineapolis

Përleshjet mes policisë dhe protestuesve në Mineapolis
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Presidenti Donald Trump tha se "huliganët" po e "çnderojnë kujtimin" për George Floyd, 46 vjeç, i cili vdiq të hënën.

"Huliganët po çnderojnë kujtesën për George Floyd dhe unë nuk do ta lejoj këtë të ndodhë. Kam biseduar me guvernatorin Tim Walz dhe i thashë atij se Ushtria është me të. Në çdo vështirësi ne do të marrim kontrollin, por, kur fillon plaçkitja, fillon të shtënat", ka shkruar Trump në Twitter.

Rrjeti social Twitter e ka fshehur postimin e presidentit amerikan, Donald Trump, duke thënë se shkel rregullat pasi "madhëron dhunën".

Si vdiq George Floyd?

Policët po ndiqnin veturën me të cilën po udhëtonte Floyd, nën dyshimin për përdorim të parave të falsifikuara. Sipas policisë, atij iu tha që të largohej nga makina dhe ai tregoi rezistencë fizike, pas së cilës u prangos.

Videot treguan sesi një polic i bardhë bëri presion me gju në qafën e tij, teksa ka tentuar ta arrestojë, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur "të lutem, nuk mund të marr frymë" dhe "mos më vrit".

George Floyd më vonë ka vdekur në spital.

Videoja e incidentit nuk tregon se si nisi konfrontimi.

Protestuesit në Mineapolis mbajnë mbishkrime ku shkruhet "Nuk mund të marr frymë", duke kujtuar fjalët që Floyd kishte thënë teksa po arrestohej nga policia.
Protestuesit në Mineapolis mbajnë mbishkrime ku shkruhet "Nuk mund të marr frymë", duke kujtuar fjalët që Floyd kishte thënë teksa po arrestohej nga policia.

Incidenti nxiti protesta brenda komunitetit dhe krahasime me një seri të ngjarjeve të ngjashme të viteve të fundit, kur persona me ngjyrë kanë vdekur derisa janë arrestuar nga zyrtarë policorë të racës së bardhë.

Një oficer policie, i pushuar nga puna pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd, u arrestua dhe u akuzua për vrasje.

Derek Chauvin është një nga katër oficerët e policisë që u pushuan nga puna pas vdekjes së Floydit të hënën në paraburgim.

Prokurori i Qarkut Henepin, Mike Freeman, tha se Chauvin akuzohet për vrasje të shkallës së tretë dhe theksoi se hetimi i oficerëve të tjerë është duke vazhduar.

Ai tha se "parasheh akuza" për tre oficerët e tjerë, por nuk dha më shumë detaje.

Shumë shpejt pasi akuzat u bënë publike, prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, tha se Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja janë duke kryer “një hetim të pavarur për të përcaktuar nëse është shkelur ndonjë ligj federal i të drejtave civile”.

Barr tha se videoja e arrestimit të Floydit "është e frikshme për t’u parë dhe thellësisht shqetësuese".

Mineapolis mbylli pothuajse të gjithë sistemin e tij hekurudhor dhe transportin rrugor deri më 31 maj, për shkak të shqetësimeve për situatën e sigurisë.

Protestat u organizuan edhe në vende tjera të SHBA-së si: Denver, Kolorado, Çikago dhe Los Angjeles.

Reagimet pas incidentit

Menjëherë pas incidentit, familja Floyd ka kërkuar që katër oficerët e policisë të përfshirë në vdekjen e familjarit të tyre, të akuzohen për vrasje.

Philonise Floyd, vëllai i George Floyd, i tha CNN të enjten se ai shpresonte që oficerët e përfshirë të marrin dënimin me vdekje.

"Asnjëherë nuk do ta kthej vëllanë tim. Ne kemi nevojë për drejtësi", tha ai.

Shefi i policisë në Minneapolis, Medaria Arradondo kërkoi falje për "dhimbjen, shkatërrimin dhe traumën" e shkaktuar nga vdekja e Floyd.

Shefja për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, e ka dënuar vdekjen e Floyd, duke thënë se roli i "diskriminimit racor" duhet të njihet dhe trajtohet.

"Mos vrisni njerëz me ngjyrë" është mesazhi që disa protestues kishin gjatë një proteste në SHBA:
"Mos vrisni njerëz me ngjyrë" është mesazhi që disa protestues kishin gjatë një proteste në SHBA:

Ajo bëri thirrje që protestuesit të sillen në mënyrë paqësore, dhe tha se policia duhet "të kujdeset maksimalisht për të mos përshkallëzuar situatën aktuale edhe më shumë".

Presidenti Donald Trump "u mërzit shumë" kur pa pamjet e vdekjes së Floyd, u tha gazetarëve të enjten sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany.

Një numër i madh i personave të famshëm dhe sportistë, duke përfshirë John Boyega, LeBron James, Beyonce dhe Justin Bieber, gjithashtu kanë shprehur zemërim për incidentin.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG