Ndërlidhjet

“Trepça” në prag të falimentimit


Pamje nga kombinati "Trepça", foto nga arkivi.

Kombinati metalurgjik “Trepça” aktualisht po përballet me vështirësi të mëdha të funksionimit, me nivel të ulët të prodhimit dhe me mos menaxhim të duhur. E gjithë kjo situatë, thuhet se po sjell ndërmarrjen në krizë dhe afër falimentimit.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka probleme në kombinatin metalurgjik “Trepça” dhe kjo do të vazhdojë edhe për një kohë.

“Momentalisht ‘Trepça’ po kalon në një periudhë të vështirë. Ka problem me prodhim, ka probleme me kapacitete prodhuese, ka probleme me menaxhim, ka probleme me sindikatë. Edhe pse jemi mundur dhe kemi shikuar mundësitë e kapaciteteve prodhuese, por kjo nuk po ndodh në mënyrë të kënaqshme”, thotë Lluka.

(Video: Vitet e humbura të "Trepçës")

Vitet e humbura të Trepçës
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:45 0:00

Lluka shton si u kanë dhënë mundësitë menaxhmentit të “Trepçës” që së bashku me sindikatën t’i rishikojnë vendet e punës, që të lëvizin një pjesë të stafit nga ato pozita që janë të ndryshme dhe në mënyrë vullnetare t’i fusin në minierë, pasi që siç thotë Lluka ‘sa më shumë punëtorë në minierë rezulton edhe me rritje të prodhimit’.

Afër dy vjet që nga miratimi i Ligjit për “Trepçën”, ende nuk janë përmbyllur të gjitha procedurat për fillimin e rimëkëmbjes dhe zhvillimin e kombinatit.

Kjo ndërmarrje, nënvizoi ministri Lluka, është duke kaluar në procese të shumta ligjore dhe se beson që në muajin tetor të kalojë miratimi i statusit të “Trepçës” në Kuvendin e Kosovës dhe të regjistrohet si shoqëri aksionare.

“Në momentin që kemi ardhur në Qeveri kemi shtuar dinamikën që të përfundojmë këtë aspekt ligjor, por kemi hasur në disa probleme mes sindikatës dhe bordit, ku rezultojë me një grevë nga sindikata. Por, jemi ulur dhe kemi arritur një pajtim që brenda tre muajve t’i zgjidhim ato problem. Komisionet për zgjidhjen e problemeve janë formuar para një muaj dhe janë në fillim të punës dhe kemi kohë që brenda dy muajve të arrihet marrëveshja”, thotë Lluka.

Përfundimi i të gjitha proceseve ligjore me kombinatin “Trepça”, shton ministri Lluka, do t’i hapë rrugë zhvillimit shumë më të lehtë të “Trepçës” përmes investime private kapitale.

Minatorët e “Trepçës” në muajin e korrik patën hyrë në grevë për disa ditë për shkak të mospajtimeve që ata kishin pasur me draft-statutin e kombinatit “Trepça”, të miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Shyqri Sadiku, kryetar i sindikatës së “Trepçës”, tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet kanë neglizhuar proceset për rimëkëmbjen e “Trepçës”.

Ai thotë se në formën si po menaxhohet “Trepça”, po shkohet drejt falimentimit.

Sadiku shton se më të gjithë këto probleme janë të njoftuar institucionet kompetente, por që askush nuk ka vullnet që të merret me zgjidhjen e tyre.

“‘Trepça’ që nga viti 2014 është duke punuar me rënie të prodhimit, ka rënie drastike. Krahasuar vitin 2016 me vitin 2017, kemi gati për 27 për qind më pak prodhim, kjo është shqetësuese dhe e kemi potencuar. Fatkeqësisht edhe viti 2018, krahasuar me vitin 2017 ka rënie. Për vitin 2018 vetëm në minierën e Stantërgut janë planifikuar prodhim 184 mijë tonë, por që ky plan nuk realizohet më shumë se 60 për qind”, thotë Sadiku.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit. Kurse sot, nga aty nxirren më shumë se 150 mijë tonë xehe.

(Video nga arkivi: Bota e rrezikshme e minatorëve)

Bota e rrezikshme e minatorëve
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Kombinati metalurgjik "Trepça", gjendet në komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera.

“Trepça” ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi. Por, që nga pas lufta është përballur me probleme të shumta që asnjëherë nuk arriti të rimëkëmbet.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG