Ndërlidhjet

“Trepça” s’ka para për paga, minatorët në grevë


Minatorët në minierën e Stantërgut. Fotografi nga arkivi.
Minatorët në minierën e Stantërgut. Fotografi nga arkivi.

Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” në Kosovë të hënën kanë hyrë grevë. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Gani Osmani nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Sipas tij, hyrja në grevë ka ardhur si pasojë e mosmarrjes së pagës së tetorit dhe kushteve jo të mira të punës.

“Minatorët kanë hyrë në grevë. Janë tri pika kryesore apo kërkesa të minatorëve. Pagat të paguhen, është data 11 nëntor dhe ne ende nuk kemi marrë paga, po ashtu minatorët nuk kanë marrë një përqindje të pagave edhe të muajve të kaluar, ushqimi është shumë i dobët, tani e sa muaj minatorët nuk kanë marrë dorëza, çizme të punës”, ka deklaruar Osmani.

Ai tha se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kushteve të kërkuara.

Minatorë të kombinatit metalurgjik "Trepça", thonë se kjo ndërmarrje është duke kaluar në një fazë të vështirë financiare, edhe si shkak i mosmenaxhimit të duhur.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që të kontaktojë menaxhmentin e “Trepçës”, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

Isuf Beqiri, minator në minierën e Stantërgut tha për Radion Evropa e Lirë se në një takim që kanë pasur me menaxhmentin e “Trepçës” ju është dhënë se nuk ka para për t’iu paguar pagat.

“Jemi lodhur që 20 vjet. Na është dhënë të nxjerrim 25 tonë xehe ju japim pagat. Ne kemi nxjerr edhe më shumë dhe nuk kemi marrë pagat”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Minatorët kërkojnë që të krijohet sa më shpejt qeveria e re pas zgjedhjeve të 6 tetorit dhe të merren masa urgjente për rimëkëmbjen e “Trepçës”.

“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Kombinati metalurgjik "Trepça", gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera.

“Trepça” ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi. Por, që nga paslufta është përballur me probleme të shumta sa që asnjëherë nuk arriti të rimëkëmbet.

XS
SM
MD
LG