Ndërlidhjet

Trump dhe demokratët vazhdojnë përplasjet për murin me Meksikën


Presidenti Donald Trump dhe përfaqësuesit demokratë më të lartë në Kongres u përplasën përmes deklaratave sërish të hënën mbi mbylljen e pjesshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, pa dhënë asnjë shenjë të përpjekjeve për të rihapur agjencitë e mbyllura nga një bllokim politik mbi kërkesën e Trumpit për fondet e ndërtimit të murit kufitar me Meksikën.

Udhëheqësi i Demokratëve në Senat, Chuck Schumer dhe ajo në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e akuzuan Trumpin se ishte nën ndikimin e konservatorëve republikan si dhe sulmuan Shtëpinë e Bardhë se po thonë "gjëra të ndryshme për atë që presidenti do ta pranonte ose nuk do të pranonte", raporton Reuters.

“Është festa e Krishtlindjes dhe Presidenti Trump po e zhyt vendin në kaos”, thanë Schumer dhe Pelosi në një deklaratë të përbashkët, pasi mbyllja e pjesshme e qeverisë ka hyrë në ditën e tretë.

Shtëpia e Bardhë nuk u përgjigj rreth kësaj deklarate. Por, të hënën në mbrëmje, përderisa po bisedonte me fëmijë përmes telefonit për festën e Krishtlindjes, presidenti Trump u pyet nga gazetarët nëse është arritur progres në bisedimet për financimin e qeverisë.

“Asgjë e re. Neve na duhet siguria e kufijve” deklaroi Trump. Trump i cili për shkak të mbylljes së pjesshme të qeverisë ka anuluar udhëtimin për Krishtlindje në resortin e tij në Florida, kishte planifikuar një bisedë për sigurinë në kufij me zyrtarët e lartë të sigurisë në SHBA.

Më pas, Trump shkroi në një mesazh Twitter: "Unë jam në Zyrën Ovale dhe sapo dhashë një kontratë për një pjesë tjetër të madhe të murit në Teksas".

Ai nuk dha detaje dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për të komentuar mbi atë se çfarë konkretisht po thoshte presidenti Trump përmes këtij mesazhi.

Më herët presidenti tha në Twitter se ai ishte "i vetëm në Shtëpinë e Bardhë duke pritur që demokratët të kthehen dhe të bëjnë një marrëveshje për sigurinë e kufijve".

Secila palë ka fajësuar tjetrën për mbylljen e qeverisë, pa asnjë shenjë të ripërtrirjes së bisedimeve midis ligjvënësve dhe Shtëpisë së Bardhë.

Të dielën, një ndihmës i lartë i presidentit Trump tha se mbyllja mund të vazhdojë deri më 3 janar, kur Kongresi i ri mblidhet dhe demokratët marrin kontrollin.

Financimi për rreth një të katërtën e programeve federale - duke përfshirë departamentet e Sigurisë Kombëtare, Drejtësisë dhe Bujqësisë - ka skaduar në mesnatë të premten.

Pa një marrëveshje për të thyer bllokimin mbi kërkesën e Trumpit për 5 miliardë dollarë për një mur përgjatë kufirit amerikan me Meksikën, mbyllja e qeverisë ka gjasa të vazhdojë në fillim të vitit të ardhshëm.

Ndërtimi i murit ka qenë një ndër premtimet më të përsëritura të Trumpit gjatë fushatës, por demokratët e kanë kundërshtuar fuqishëm.

Gjatë fundjavës së kaluar, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë iu kishin bërë një ofertë demokratëve për financimin e sigurisë së kufijve, që arrinte një vlerë të mesme mes propozimit të tyre prej 1.3 miliardë dollar dhe kërkesës së presidentit Trump prej 5 miliardë dollar.

Raportet e mediave thanë se zëvendëspresidenti Mike Pence kishte propozuar 2,1 miliardë dollarë financim për murin në kufi me Meksikën.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG