Ndërlidhjet

Trump feston shfajësimin nga Senati


Presidenti amerikan, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, që përballet me fushatë për rizgjedhje dhe ndoshta edhe me hetime tjera në të ardhmen, ka festuar shfajësimin nga akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Pasi ka hyrë në sallë ku është pritur me duartrokitje të mëdha nga ligjvënësit republikanë, zyrtarë të administratës dhe figura të mediave konservatore në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka thënë se demokratët kanë nxitur përpjekje “të korruptuara” për të dëmtuar presidencën e tij.

“Unë kam bërë gjëra të këqija në jetën time, e pranoj… mirëpo ky është rezultati përfundimtar”, ka thënë Trump, teksa ka mbajtur një kopje të gazetës Washington Post me titull kryesor “Trump u shfajësua”.

Senati i kontrolluar nga republikanët, ka votuar të mërkurën për ta shfajësuar Trumpin, në procesin e nisur nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kjo ka qenë vetëm hera e tretë në histori që një president amerikan është përballur me një proces të tillë.

Trump nuk ka lënë pa përmendur disa persona që ai ka konsideruar se i kanë bërë keq, duke përfshirë, kryesuesen e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kryetarin e Komitetit për Inteligjencë, Adam Schiff dhe ish-udhëhqësin e FBI-së, James Comey.

“Tani ne kemi këtë fjalë të mrekullueshme. Unë kurrë nuk kam menduar se tingëllon kaq mirë”, ka thënë Trump. Është ‘shfajësim i plotë’.

Presidenti nuk ka harruar edhe mbështetësit e tij. Ai ka kaluar pothuajse një orë e gjysmë duke përmendur një nga një pjesëtarët e stafit që i kanë qëndruar afër.

Ai ka thënë se Partia Republikane nuk ka qenë kurrë me e bashkuar dhe se prej momentit të shfajësimit ai është gati për rizgjedhje si president të muajin nëntor.

Krahasim mes komenteve të Trumpit dhe Clintonit

Trump ka thënë se po feston shfajësimin e tij, mirëpo reagimi i tij ka qenë krejtësisht tjetër me atë që ka bërë ish-presidenti amerikan, Bill Clinton pasi është përballur me proces të ngjashëm më 1999.

Clinton atëbotë pati thënë:

“Unë dua t’i them edhe njëherë popullit amerikan se sa më vjen keq për atë që kam thënë dhe për gjërat që kanë nxitur këtë situatë dhe barrën që kanë vënë në Kongres dhe ndaj popullit amerikan”.

Trump ka mënjanuar diskutimin për gjyqin kundër tij në fjalimin drejtuar kombit të martën.


Pamje nga fjalimi i Trumpit drejtuar kombit.

Pelosi shqyen fjalimin e Trumpit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:33 0:00

Mirëpo të nesërmen, ai ka filluar të shfrytëzojë fitoren si element për fushatën zgjedhore.

Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham ka thënë për kanalin Fox para fjalimit se Trump do të diskutojë “sa tmerrshëm është trajtuar dhe se ndoshta dikush duhet të paguajë për këtë”.

“Njerëzit duhet të mbahen përgjegjës. Demokratët duhet të mbahen përgjegjës. Njerëzit duhet ta kuptojmë se demokratët nuk kanë qenë të sinqertë dhe procesi ka qenë i korruptuar”.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thënë se deklaratat e Trumpit kanë qenë “plotësisht të papërshtatshme, sidomos gjatë Lutjeve të Mëngjesit”.

Përgjatë kësaj ceremonie, Trump ka akuzuar “disa njerëz shumë të pasinqertë dhe të korruptuar”, që kanë kërkuar ta largojnë atë përmes procesit që e ka konsideruar “mashtrim”.

Çfarë ndodhi në ditën e gjykimit?

Në gjyqin kundër tij, 52 ligjvënës kanë votuar për ta liruar atë nga akuza për abuzim të pushtetit, derisa 48 kanë thënë se ai është fajtor.

Senatori, Mitt Romney ka qenë republikani i vetëm që ka votuar kundër Trumpit.

Pas votimit, Trump ka akuzuar Romneyn se është “aset i fshehtë” i Partisë Demokratike, që vetëm pretendon se është republikan.

Senatori Mitt Romney.
Senatori Mitt Romney.

Në votimin për akuzën e dytë, për pengim të punës së Kongresit, 53 ligjvënës kanë votuar për të shpallur presidentin të pafajshëm derisa 47 e kanë konsideruar atë fajtor.

Akuzat janë ngritur pas dyshimeve se presidenti i 45-të i SHBA-së ka kushtëzuar ndihmën ushtarake në vlerë të miliona dollarëve për Ukrainën, në këmbim të nisjes së hetimeve për rivalin e tij politik, demokratin, Joe Biden.

Demokratët kanë akuzuar Trumpin se përveç ndihmës ushtarake, ai ka kushtëzuar me hetime edhe një vizitë në Shtëpinë e Bardhë të homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, derisa Ukraina të bënte publik lajmin për nisje të hetimeve.

Trump nga fillimi ka mohuar çdo keqbërje në marrëveshjet e tij me Ukrainën.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG