Ndërlidhjet

Trump hedh poshtë druajtjet për ndonjë sulm rus kundër NATO-s, pas vizitës së shefit të CIA-s në Moskë

Avionët luftarakë të NATO-s patrullojnë qiellin mbi shtetet baltike mes kërcënimeve të agresionit të mundshëm rus. (Fotografi nga arkivi)
Avionët luftarakë të NATO-s patrullojnë qiellin mbi shtetet baltike mes kërcënimeve të agresionit të mundshëm rus. (Fotografi nga arkivi)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se nuk beson se Moska do ta sulmojë ndonjë vend anëtar të NATO-s, me gjithë rritjen e shqetësimeve se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të urdhërojë sulm ndaj një vendi baltik ose ndonjë tjetër vendi anëtar, për ta vënë në sprovë vendosmërinë e aleancës perëndimore.

Trump u tha gazetarëve të enjten vonë në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, se kishte zhvilluar “biseda të mira” me Putinin dhe se “ai nuk do të sulmojë territorin e NATO-s”.

Trump nuk tregoi se kur ishin zhvilluar këto biseda.

“Unë nuk jam fare i shqetësuar... nuk ka asnjë telash”, citoi më herët Trumpin mediumi Axios, kur ai u pyet nëse ka mundësi që Rusia ta provokojë ndonjë shtet të NATO-s.

Këto deklarata u bënë në të njëjtën kohë kur Kremlini i hodhi poshtë si “rrëfime frikësuese” raportet në mediat amerikane se Moska mund ta sulmojë NATO-n, si dhe pas një vizite të papritur të drejtorit të CIA-s në Moskë.

Garancitë e Nenit 5 të NATO-s

Siguria e Evropës Perëndimore ka qenë prej kohësh e lidhur me klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s, Neni 5, i cili përcakton se një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve.

Shumë liderë dhe zyrtarë perëndimorë kanë shprehur shqetësime lidhur me përkushtimin e Trumpit ndaj aleancës ushtarake. Në disa raste, Trump ka vënë në pikëpyetje nëse SHBA-ja do të reagonte ndaj një sulmi kundër një vendi anëtar, ndërsa në raste të tjera ka rikonfirmuar mbështetjen për NATO-n.

Një letër e parë nga REL-i zbulon shqetësimin në rritje për agresionin rus në shtetet baltike. Në letër flitet për një “mjedis të përkeqësuar të sigurisë”, në kushtet e një “shpeshtimi të shkeljeve të hapësirës ajrore dhe inkursioneve me dronë”.

Letra iu dërgua presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe u nënshkrua nga tre komisionarët evropianë nga vendet baltike – Kaja Kallas, Andrius Kubilius dhe Valdis Dombrovskis – si dhe nga komisionarët e Polonisë dhe Finlandës.

Letra, e datës 30 korrik, ishte njëra nga një sërë alarmesh lidhur me agresionin rus gjatë verës, të cilat kulmuan me vizitën e papritur të drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë më 25 gusht.

Në brigjet e akullta të Baltikut, forcat e NATO-s stërviten kundër kërcënimeve hibride Në brigjet e akullta të Baltikut, forcat e NATO-s stërviten kundër kërcënimeve hibride
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:02 0:00

Ratcliffe fluturoi drejt Moskës për t’i bërë thirrje Kremlinit të mos e përshkallëzojë gjendjen me aleatët e SHBA-së – veçanërisht me Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë. Burime të informuara për vizitën e konfirmuan këtë për REL-in më 26 gusht.

“Çdo gjashtë muaj”

Axios e citoi Trumpin duke mohuar se Ratcliffe u kishte përcjellë rusëve një paralajmërim të tillë.

“Ratcliffe takohet me homologun e tij rus një herë në gjashtë muaj ose një herë në vit. Ata kanë marrëdhënie shumë të mira. Nuk kishte asnjë mesazh dhe nuk kishte asgjë të pazakontë”, tha Trump.

Por, kur gazetarët e pyetën më vonë për këtë çështje në Zyrën Ovale, Trump dukej se u tërhoq disi nga deklarata e tij e mëparshme, duke thënë: “Nuk dua të komentoj për këtë, por ata nuk do ta sulmojnë [NATO-n]”.

Gazeta New York Times, duke cituar zyrtarë dhe ish-zyrtarë, raportoi se Ratcliffe i kishte dhënë homologut të tij një vlerësim të zymtë për gjendjen e luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe i kishte bërë thirrje Kremlinit të arrinte një marrëveshje para se gjendja ushtarake dhe ekonomike e Rusisë të përkeqësohej më tej.

Gazeta Wall Street Journal kishte raportuar më herët, duke cituar burime të inteligjencës amerikane, se Rusia mund ta vinte në sprovë vendosmërinë e NATO-s përmes një inkursioni të kufizuar, madje që në vjeshtën e këtij viti.

Diplomatë baltikë, të cilët folën për REL-in në kushte anonimiteti, konfirmuan se gjatë verës kishte pasur informacione të tjera të inteligjencës për operacione ruse nën flamur të rremë, por nuk kishte tregues për ndonjë sulm konvencional.

Ata gjithashtu theksuan se operacione të tilla mund të mos kufizohen vetëm në shtetet baltike. Ky shqetësim është përforcuar nga rastet e fundit të përfshirjes së dyshuar ose të supozuar ruse në përpjekje për vrasje, zjarre dhe inkursione me dronë në disa vende të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Poloninë dhe Sllovakinë.

Trysnia ndaj vendeve anëtare të NATO-s

Ndërkohë, një zyrtar i lartë i Pentagonit u bëri thirrje të enjten aleatëve të NATO-s për të shpjeguar se si po u përgjigjen kërkesave të SHBA-së për të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e Evropës, ndërkohë që Uashingtoni po i rishikon nivelet e pranisë së trupave amerikane në këtë kontinent.

Administrata e Trumpit i ka shqetësuar aleatët se SHBA-ja mund ta kufizojë praninë e saj ushtarake në Evropë, pas një rishikimi gjashtëmujor që nisi në korrik.

“Qasja me të cilën vijmë është, padyshim, ajo e konsultimit dhe angazhimit. Ne duam të dëgjojmë nga aleatët tanë”, tha zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes, Elbridge Colby, gjatë një vizite në selinë e NATO-s në Bruksel, ku zhvilloi bisedime.

Uashingtoni u ka dërguar vendeve evropiane një pyetësor, duke u kërkuar të shpjegojnë përpjekjet e tyre për të marrë rol udhëheqës në mbrojtjen e kontinentit.

“Ne, në fakt, po zhvillojmë një bisedë shumë praktike për mënyrën se si do të ecim përpara së bashku në një botë ku Evropa, e cila është padyshim një kontinent shumë i pasur, mund dhe po merr përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e vet konvencionale”, tha Colby.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG