Ndërlidhjet

Çfarë ndodh tani me Trumpin?


Pelosi: Trump e la Kongresin pa zgjedhje tjetër
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:57 0:00

Pelosi: Trump e la Kongresin pa zgjedhje tjetër

Donald Trump u bë të mërkurën presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara që u akuzua zyrtarisht nga Dhoma e Përfaqësuesve për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Gjykimi i tij kalon tani në Senat, ku ligjvënësit do të vendosin nëse do ta largojnë nga detyra ose jo.

Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, duhet të emërojë “menaxherët” që do ta paraqesin rastin kundër Trumpit në Senat.

Ata mund të emërohen këtë javë ose pas festave të fundvitit.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha pas votimit të dy akuzave se i duhen më shumë informacione nga Senati, përpara se të emërojë menaxherët.

Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, dhe udhëheqësi i pakicës demokrate, Chuck Schumer, kanë pikëpamje krejtësisht të kundërta për mënyrën se si duhet të zhvillohet gjyqi.

Ata tani pritet të negociojnë privatisht dhe përmes mediave.

Pelosi nuk tha se kur do t’i dorëzojë akuzat në Senat, gjë që është e nevojshme të bëhet përpara se të nisë gjyqi.

Fillimi i janarit

Trump do të përballet me gjykimin në Senat, i cili do të vendosë nëse ai duhet të dënohet dhe të hiqet nga detyra.

Senati kontrollohet nga Partia Republikane e Trumpit, e cila ka treguar pak shenja se do të votojë për shkarkimin e tij.

Për ta shpallur fajtor Trumpin duhen dy të tretat e votave të Senatit 100-anëtarësh.

Shefi i drejtësisë amerikane, John Roberts, do të kryesojë gjyqin.

Menaxherët e Dhomës së Përfaqësuesve do të paraqesin rastin e tyre kundër Trumpit, ndërsa ekipi ligjor i presidentit do të përgjigjet.

Senatorët do të veprojnë si anëtarë jurie.

Gjyqi mund të përfshijë dëshmi të dëshmitarëve dhe mund të zhvillohet gjashtë ditë në javë, për gjashtë javë.

McConnell ka thënë se shumica e Senatit mund të miratojë një proces më të shkurtër, duke i votuar akuzat pas paraqitjes së argumenteve, pa dëshmitarë.

A do të japë Trump dëshmi?

Presidenti mund të zgjedhë nëse do të paraqitet vetë para Senatit, por gjasat më të mëdha janë që ai të prezantohet nga avokati i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone.

Cipollone, ashtu si edhe menaxherët, do të mund t’iu shtrojë pyetje dëshmitarëve dhe të bëjë deklarata hyrëse dhe përmbyllëse.

Mediat amerikane raportojnë se Trump mund të sjellë edhe disa konservatorë në ekipin e tij mbrojtës, si kongresistin e Ohajos, Jim Jordan, ose atë nga Teksasi, John Ratcliffe.

A do të dëshmojë Biden?

Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.

Nëse Biden do të dëshmojë në Senat, kjo varet se si McConell e përcakton formatin e gjyqit.

Sipas mediave amerikane, republikanët vazhdojnë të diskutojnë nëse ia vlen të thirret për dëshmi ish-nënpresidenti demokrat.

Biden i ka hedhur poshtë thirrjet për dëshmi, duke i thënë NPR-së se ato janë përpjekje të presidentit për të tërhequr vëmendjen nga akuzat kundër tij.

A do t’i ndikojë gjykimi zgjedhjet e vitit 2020 në SHBA?

Kjo nuk dihet ende. Republikanët thonë se procedurat për shkarkimin e presidentit kanë ndihmuar në mbledhjen e fondeve për fushatën e Trumpit, pasi mbështetësit e tij janë anuar edhe më shumë kah ai.

Për demokratët, kjo është një njollë e zezë në emrin e presidentit, të cilën votuesit do ta kenë të pamundur ta injorojnë.

Sondazhet tregojnë se ndarja e opinionit, për dhe kundër presidentit, nuk ka ndryshuar shumë për shkak të procedurave të shkarkimit.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen në nëntor. Trump do të garojë për rizgjedhje, ndërsa rivali i tij demokrat nuk dihet ende.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG