Ndërlidhjet

Trump kongresisteve demokrate: Shkoni nga keni ardhur, rregulloni shtetet e juaja


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i tha një grupi të ligjvënesve demokrate, kryesisht të lindura në Amerikë, të "kthehen dhe të ndihmojnë në rregullimin e vendeve të krimit dhe krejtësisht të shkatërruara, nga të cilat kanë ardhur".

Komentet e presidentit Trump u cilësuan nga demokratët si “raciste”, pasi bëhet fjalë për ligjvënëse me ngjyrë.

"Shumë interesante të shohësh kongresistet ‘përparimtare’ demokrate, të cilat me origjinë vijnë nga vendet, qeveritë e të cilave janë katastrofë e plotë....duke u thënë njerëzve në SHBA si duhet të udhëhiqet qeveria jonë", tha Trump.

Derisa nuk përmendi emrat, Trump duket se i referohej kongresisteve Alexandria Ocasio-Cortez të Nju Jorkut, Ilhan Omar nga Minesota, Ayanna Pressley nga Massachusetts dhe Rashida Tlaib nga Michigan - një grup i njohur si "skuadra" që ka qenë shumë kritike ndaj Trumpit dhe gjithashtu udhëheqjes demokrate të Kongresit.

Vetëm Omar, familja e të cilës u largua nga Somalia si refugjatë dhe mbërriti në Minneapolis në vitin 1997, ka lindur jashtë Shteteve të Bashkuara.

"Zoti president, vendi prej të cilit kam ardhur dhe vendi me të cilin ne të gjithë betohemi, është Shtetet e Bashkuara. Ju jeni të zemëruar për shkak se ju nuk mund të mendoni për një Amerikë që na përfshinë edhe neve", shkroi kongresistja, Ocasio-Cortez.

Deklaratat e presidentit Trump ngjallën reagime në mesin e demokratëve.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi i quajti komentet e tij, si “ksenofobike”.

"Kur Trump u thotë katër kongresisteve amerikane të kthehen në vendet e tyre, ai riafirmon se plani i tij për të 'bërë Amerikën e Madhe përsëri' ka qenë gjithmonë për ta bërë Amerikën të bardhë përsëri," tha ajo në Twitter.

Një javë më parë, Pelosi kishte një përplasje me katër kongresistet, lidhur me çështjet e migracionit, por megjithatë ajo u doli në mbrojtje pas deklaratave të Trumpit.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit, republikani, Mitch McConnell, nuk iu përgjigj kërkesave për të komentuar deklaratat e Trumpit.

Por, presidenti, Donald Trump, nuk po kërkon falje për deklaratat ndaj katër kongresisteve. Përmes një postimi në Twitter, të hënën, presidenti amerikan tha se "ato duhet të kërkojnë falje për deklaratat që kanë bërë ndaj tij dhe Izraelit".

Në vitin 2018, presidenti Trump i tha një gazetari: "Unë nuk jam racist, unë jam personi më pak racist që keni intervistuar ndonjëherë".

Por, shumë nuk pajtohen me këtë deklaratë dhe presidenti është akuzuar për racizëm shumë herë në lidhje me incidente të ndryshme.

Zoti Trump me vite ka bërë pretendime se ish-presidenti Barack Obama nuk ka lindur në SHBA. Ai gjithashtu ka bërë shumë deklarata kundër migrantëve të Amerikës Qendrore, duke i quajtur kriminelë dhe përdhunues.

Në vitin 2018, ai u përball me kritika nga demokratët dhe republikanët, pasi u raportua se gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë ai i ofendoi kombet afrikane.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG