Ndërlidhjet

Trump padit tri kompani të mediave sociale


Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar për një padi ndaj kompanive të teknologjisë Facebook, Google dhe Twitter, duke pretenduar se ai është viktimë e censurës.

Padia përfshin edhe shefat e këtyre kompanive.

Në janar të 2021, Trump u pezullua nga ana e këtyre kompanive pas shqetësimeve se, deklaratat e tij kishin ndikuar që një turmë e mbështetësve të tij, të sulmonin ndërtesën e Kongresit, derisa ligjvënësit kanë qenë duke certifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Të mërkurën (7 korrik), Trump e quajti padinë "një zhvillim shumë të bukur për lirinë e fjalës".

Në një konferencë për media nga vendpushimi i tij në Bedminster, Trump sulmoi kompanitë e mediave sociale dhe demokratët, të cilët ai i akuzoi për përkrahje të dezinformimit.

"Unë jam duke nisur një proces të madh gjyqësor kundër gjigantëve të mëdhenj të teknologjisë duke përfshirë Facebook, Google dhe Twitter si dhe ndaj shefave të tyre, Mark Zuckerberg, Sundar Pichai dhe Jack Dorsey - tre djem të mirë", tha Trump.

Padia kërkon që gjykata të nxjerrë një urdhër për t'i dhënë fund censurës së pretenduar ndaj Trumpit duke thënë se “nëse ata (kompanitë e teknologjisë) mund të ndalonin një president, mund ta ndalojnë këdo".

Që nga mbajtja e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2020, Trump, në atë kohë president i SHBA-së, përmes postimeve të tij, kishte bërë rregullisht pretendime të rrejshme për manipulime zgjedhore nga ana e demokratëve.

Asnjë nga kompanitë e teknologjisë të përmendura ende nuk i është përgjigjur padisë, e cila u paraqit në një gjykatë federale në Florida.

XS
SM
MD
LG