Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Grenlanda, e kanë arritur një marrëveshje e cila ia mundëson SHBA-së ta ketë një prani të madhe ushtarake në Grenlandë, ndërsa ua ndalon kundërshtarëve të SHBA-së të ndërtojnë bazat e tyre në ishull, tha të premten vonë presidenti Donald Trump.
Në një postim në Truth Social, Trump shkroi se asnjë armik i Amerikës nuk do të mund të bëjë investime të ndjeshme në ishull pa pëlqimin e Shteteve të Bashkuara dhe se marrëveshja nuk ka afat skadimi.
“Me udhëzimin tim, ne punuam me përfaqësuesit e Danimarkës dhe Grenlandës për të garantuar që Shtetet e Bashkuara do ta kenë përgjithmonë mundësinë e plotë për të bërë atë që është e nevojshme në Grenlandë për ta garantuar dhe mbrojtur sigurinë e Grenlandës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump.
Më herët të premten, Reuters raportoi ekskluzivisht se SHBA-ja dhe Danimarka po i afroheshin një marrëveshjeje që do të sillte shtim të pranisë ushtarake amerikane në Grenlandë, ishullin autonom të Danimarkës.
Trump kishte ëndërruar kahershëm për ta blerë ishullin për Shtetet e Bashkuara.
SHBA-ja veçse ka të drejta pothuajse të plota për fluturimet mbi Grenlandë dhe për vendosjen e bazave atje, falë një traktati të vitit 1951.
Në njoftimin e tij, Trumpi la të kuptohej se ai është gjithsesi i kënaqur me rezultatin e negociatave dhe se mund të mos i ringjallë pretendimet e tij territoriale, të paktën në të ardhmen e afërt. Ai tha, pa dhënë hollësi, se SHBA-ja së shpejti do të vendosë një prani të madhe ushtarake në ishull, ku tashmë ndodhet një bazë e Forcave Hapësinore të SHBA-së në veriperëndimin e largët të tij.
“Kjo është një ëndërr e bërë realitet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit të Danimarkës tha të premten se marrëveshja do të forconte sigurinë në Atlantikun e Veriut dhe në Arktik.
Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha në një deklaratë se marrëveshja njeh interesat e Grenlandës dhe vendin e ishullit të Arktikut në bashkëpunimin ndërkombëtar.
“Kjo na sjell dobi të gjithëve”, tha ai.
Shumë çështje mbetën të paqarta të premten në mbrëmje, përfshirë nëse si rezultat i marrëveshjes do të ndërtohen baza të reja amerikane.
Imran Bayoumi, ish-zyrtar i Pentagonit, i cili tani punon në institutin e Këshillit të Atlantikut, tha se do të ishte diçka e re nëse SHBA-ja mund të ndërtojë baza pa miratimin e Grenlandës ose Danimarkës, por shtoi se, në masë të madhe.
Gjithashtu është e paqartë se si do të pritet marrëveshja në Grenlandë, territorin autonom të Danimarkës. Banorët e ishullit synojnë pavarësinë dhe kanë reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të SHBA-së për të ushtruar kontroll mbi të.
Në një deklaratë ndaras, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se marrëveshja “në mënyrë të përhershme dhe të plotë” i adreson shqetësimet e Uashingtonit për sigurinë kombëtare lidhur me ishullin.
“Grenlanda do të jetë përgjithmonë pjesë e zonës së mbrojtjes strategjike të Amerikës së Veriut dhe do të përjashtojë çdo kundërshtar nga ajo dhe nga zona përreth”, shkroi ai.