Ndërlidhjet

Truss: Duhet të ndalet ndërhyrja ruse në Bosnje-Hercegovinë


Sekretarja e Jashtme britanike, Lizz Truss (majtas), dhe udhëheqësja e diplomacisë së Bosnjës, Bisera Turkoviq.
Sekretarja e Jashtme britanike, Lizz Truss (majtas), dhe udhëheqësja e diplomacisë së Bosnjës, Bisera Turkoviq.

Ekzistojnë shenja të ndërhyrjes ruse në Bosnje-Hercegovinë, çka përbën rrezik për kthim në kohët e errëta, por kjo gjë duhet të ndalet, ka thënë Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, pas takimit që ka zhvilluar me udhëheqësen e diplomacisë së Bosnjës, Bisera Turkoviq.

Truss dhe Turkoviq janë takuar më 26 maj në Sarajevë, në fillim të vizitës dyditore të zyrtares britanike në Bosnje-Hercegovinë.

“Është e domosdoshme që këtu në Bosnje të punohet edhe më shumë për të mbrojtur paqen dhe për të parandaluar këtë shtet në kthim të konflikteve”, ka thënë Truss, duke shtuar se shteti i saj është “lider në ofrim të mbështetjes për Bosnje-Hercegovinën”.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur për një pako investimi për Ballkanin Perëndimor, e cila, sipas saj, është “alternativë ndaj investimeve që vijnë me ndikime negative”.

Truss ka thënë se pakoja, në vlerë të 100 milionë dollarëve amerikanë, parasheh investime deri më 2025.

Sekretarja britanike ka thënë se duhet të ofrohet mbështetje për shtetet që luftojnë për “liri dhe demokraci”.

“Situata në Bosnje-Hercegovinë dhe tani situata në Ukrainë tregojnë se ne duhet të mësojmë nga e kaluara, dhe që demokracia dhe liria duhet të tejkalojnë agresionin autokratik”, ka thënë Truss.

Bosnje-Hercegovina dhe i gjithë rajoni janë në një pikë kthese – ose do të lëvizim drejt paqes dhe stabilitetit brenda komunitetit euro-atlantik, ose do të përfshihemi në lojëra të rrezikshme me qëllim të destabilizimit të gjithë Evropës, ka thënë Turkoviq pas takimit.

Ajo ka thënë se beson që garantimi i statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Bosnje-Hercegovinën, do t përbënte “mesazh të mirë për secilin që luan me notat ruse”.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

XS
SM
MD
LG