Ndërlidhjet

Tsikhanouskaya përshëndet mbështetjen e ofruar për opozitën bjelloruse


Liderja opozitare bjelloruse Svyatlana Tsikhanouskaya.
Liderja opozitare bjelloruse Svyatlana Tsikhanouskaya.

Liderja opozitare bjelloruse Svyatlana Tsikhanouskaya ka përshëndetur mbështetjen e shprehur për lëvizjen e saj nga njerëzit në gjithë botën, pasi Bjellorusia ka devijuar një fluturim dhe ka arrestuar gazetarin disident Raman Pratasevich.

“Jam shume e prekur nga mbështetja që shoh në Lituani dhe gjithë botën”, u ka thënë Tsikhanouskaya gazetarëve në Vilnius më 29 maj, pasi protestat janë mbajtur në disa qytete evropiane për të shprehur solidaritetin me opozitën bjelloruse.

Më pas ajo ka falënderuar të gjithë përmes Twitterit “për atmosferën fantastike”.

Tsikhanouskaya ka kërkuar mbajtjen e protestave për të shënuar përvjetorin e parë të arrestimit të burrit të saj Syarhey Tsikhanouski, një bloger i famshëm, i cili kishte planifikuar të kandidonte kundër liderit autoritar Alyaksandr Lukashenka në zgjedhjet e mbajtura në gusht të vitit të kaluar.

Tsikhanouski vazhdon të jetë në burg dhe përballet me disa vite burgim nëse dënohet për akuzat që lidhen me tentim për pjesëmarrje në zgjedhje.

Përveç Vilniusit, protesta janë mbajtur edhe në Kiev e Varshavë, ku kanë folur prindërit e gazetarit Pratasevich, i cili është ndaluar, bashkë me të dashurën e tij më 23 maj, pas uljes me forcë të aeroplanit.

“U bëj thirrje vendeve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara që të na ndihmojnë ta lirojmë Ramanin dhe Sofian, si dhe të gjithë ata që janë burgosur”, ka thënë nëna e Pratasevich, Natalia, para një turme me qindra persona.

Protestuesit kanë mbajtur fotografitë e Pratasevich dhe Sapegas dhe kanë mbajtur flamujt bardhë e kuq, të opozitës bjelloruse.

Ata janë dëgjuar duke bërtitur “Ndihmoni Bjellorusinë” dhe “Liri për Bjellorusinë”.

Pratasevich, 26-vjecar, përballet me akuza për trazira civile, vepër që ndëshkohet deri më 15 vjet burgim.

Anëtarët e Koalicionit për Liri të Mediave kanë lëshuar një deklaratë më 29 maj, duke dënuar uljen e detyrueshme të aeroplanit dhe arrestimin e Pratasevich.

“Ky veprim i pashembullt përbën një sulm të drejtpërdrejtë në lirinë e mediave dhe ka ndikim serioz në të drejtën për liri të shprehjes dhe opinionit më gjerësisht”, ka thënë ky koalicion përmes një deklarate të publikuar në faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Vendimi i Lukashenkas për të ndalur aeroplanin e kompanisë Ryanair dhe arrestimin e Pratasevich ka nxitur sanksione të reja nga Shtetet e Bashkuara, dhe kërcënim për sanksione më serioze nga Bashkimi Evropian.

Shumë vende evropiane u kanë bërë thirrje kompanive të tyre ajrore që të shmangin hapësirën ajrore të Bjellorusisë.

XS
SM
MD
LG