Ndërlidhjet

IKSHPK u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm me ujin e pijes


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), u rekomandoi qytetarëve që ta vlojnë ujin para se ta konsumojnë ose të shfrytëzojnë burime të sigurta dhe ujë të ambalazhuar.

Kjo për shkak se, siç tha IKSHPK-ja më 22 janar, si pasojë e vërshimeve janë regjistruar vlera të shtuara të turbullirës në shumë burime të ujit.

IKSHPK-ja tha se vlimi i ujit është procedurë e thjeshtë dhe e zakonshme, por shtoi se tani është e domosdoshme të bëhet për të parandaluar shpërthime epidemike.

“Ekipet e Institutit Kombëtar janë në gjendje gatishmërie dhe vazhdojnë me monitorim të rregullt dhe në dispozicion me të gjitha kapacitetet për të ruajtur situatën stabile dhe për çdo përkeqësim të situatës epidemiologjike do të informoheni në kohë reale”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ka ngritur nivelin e gatishmërisë me të gjitha institucionet përkatëse.

Kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina” ka njoftuar më 22 janar se si shkak i reshjeve të dendura me vërshime, vazhdon të ketë turbullirë të lartë të ujit në kanalin e Ibrit.

Kjo kompani njoftoi se fabrika e ujit në Shkabaj, është jashtë funksionit dhe do të ketë reduktime të ujit në disa pjesë të qytetit të Fushë Kosovës, Prishtinë, Obiliq dhe Drenas.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vizitave që ka zhvilluar më 22 janar në komunat e prekura nga vërshimet në Skenderaj dhe Mitrovicë, ka thënë se ka shumë ‘kafshë të ngordhura, andaj edhe ka rrezik për epidemi’.

Përmbytjet që shkaktuan shirat e furishëm gjatë kësaj jave kanë dëmtuar shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë në disa komuna të Kosovës.

Reshjet e shiut pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim deri më 25 janar.

XS
SM
MD
LG