Ndërlidhjet

Turqia thërret në bisedë disa ambasadorë të vendeve perëndimore


Aktivisti i të drejtave të njeriut, Osman Kavala.

Turqia thirri në bisedë ambasadorët e 10 vendeve, përfshirë atë të Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, pasi ata kërkuan lirimin e një udhëheqësi të shoqërisë civile, tha të martën një burim diplomatik turk.

"Nuk është e pranueshme që ambasadorët të bëjnë një rekomandim ose sugjerim gjyqësor për një çështje që është në proces", tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu.

Ministri turk i Drejtësisë, Abdulhamit Gul, tha të hënën vonë se "asnjë ambasador nuk ka të drejtë të bëjë një rekomandim ose sugjerim për gjykatat tona".

Filantropi dhe aktivisti i lindur në Paris, Osman Kavala, 64 vjeç, po mbahet në paraburgim që nga viti 2017 dhe rasti i tij ka nxitur tensione mes Turqisë dhe Perëndimit.

Aktivisti turk përballet me një sërë akuzash të lidhura me protestat anti-qeveritare të vitit 2013 dhe një grusht shteti të dështuar ushtarak në vitin 2016.

Kavala mohon akuzat.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe disa qeveri perëndimore e konsiderojnë ndalimin e tij si një simbol të shtypjes që presidenti turk, Reccep Tayip Erdogan i bënë kundërshtarëve.

Përmes një deklarate, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Suedia dhe SHBA-ja bënë thirrje për një "zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë të çështjes së tij".

"Vonesat e vazhdueshme në gjykimin e tij hodhën një hije mbi respektin për demokracinë, sundimin e ligjit dhe transparencën në sistemin gjyqësor turk", thanë këto vende.

Ambasadat i bënë thirrje Turqisë të ndiqte vendimet e Këshillit të Evropës, një organ i të drejtave të njeriut të cilit iu bashkua në 1950.

Këshilli i Evropës ka paralajmëruar se do të nisë proces disiplinor kundër Turqisë "në rast se Kavala nuk lirohet".

Ambasadorët do të mbërrijnë për bisedime në ministrinë e Jashtme në Ankara të martën në mëngjes, tha burimi turk për AFP.

XS
SM
MD
LG