Ndërlidhjet

Tuzi mban zgjedhjet lokale


Votimet në zgjedhjet lokale në Tuz më 5 mars 2023.
Votimet në zgjedhjet lokale në Tuz më 5 mars 2023.

Në Tuz, komunë e banuar me shumicë shqiptare në afërsi të Podgoricës, më 5 mars mbahen zgjedhjet lokale.

Këto janë zgjedhjet e dyta që kur Tuzi u bë komunë e pavarur.

Nga ora 07:00 deri në orën 20:00, 12.387 banorë do të mund të votojnë në 30 qendra votimi.

Parlamenti lokal ka 32 këshilltarë.

Në zgjedhjet lokale garojnë shtatë lista zgjedhore, përfshirë katër koalicione.

Në garë janë: Koalicioni “Forumi Shqiptar - Bashkim dhe Zhvillim” - Alternativa Shqiptare (AA), Aleanca Demokratike e Shqiptarëve (DSH), Unioni Kombëtar Shqiptar (UKSH) dhe Aleanca Demokratike e Malit të Zi (DSCG), koalicioni shqiptar “Bashkë” - Partia Demokratike (PD) dhe Forca, koalicioni “Rrugës së drejtë” - Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), Partia Boshnjake (BS) dhe Social Demokratët (SD) dhe “Me gjithë zemër për Tuzin” - Partia Socialdemokrate (SDP) dhe Lëvizja për Tuzin.

Nga subjektet politike po garojnë: “Më të fortë jemi së bashku” - Demokratët, “Për Tuzin me nderë” - Partia Popullore Socialiste (SNP) dhe “Për gjeneratat e ardhshme” - Partia për Drejtësi dhe Pajtim (SPP).

Një pjesë e shqiptarëve në Tuz janë myslimanë dhe pjesa tjetër katolikë.

Tuzi është në qendër të Malsisë, që gjendet mes Malit të Zi dhe Shqipëri.

Qytetarët duke votuar në Tuz të Malit të Zi. 5 mars 2023.
Qytetarët duke votuar në Tuz të Malit të Zi. 5 mars 2023.

Statusin si komunë e pavarur – që i ishte marrë nga viti 1958 – Tuzi e rifitoi në shtator të vitit 2018, duke u ndarë nga kryeqyteti i Malit të Zi. Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës dhe më pas një prej komunave të kryeqytetit.

Për pothuajse dy dekada, kërkesa kryesore politike e partive shqiptare, por edhe e diasporës, ishte që Tuzi të bëhej komunë.

Në zgjedhjet e para të mbajtura më 2019, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviq fitoi pushtetin në Tuz.

Shumica e votave u fituan nga koalicioni i partive shqiptare, Forumi Shqiptar, që mbështetej nga një këshilltar demokrat. Ata formuan qeverisjen lokale të udhëhequr nga Nik Gjeloshaj.

XS
SM
MD
LG