Ndërlidhjet

Ukraina ndoshta do të ketë qasje në vendin e shpërthimit, thotë zyrtari polak


Vendi i shpërthimit në Poloni, në kufi me Ukrainën.

Ukraina ka të ngjarë të ketë qasje në vendin në Poloninë juglindore ku një raketë vrau dy persona, tha të enjten këshilltari i lartë i presidentit polak për politikën e jashtme, pasi Kievi kërkoi hyrje në zonën e shpërthimit.

Presidenti polak, Andrzej Duda, tha të mërkurën se qasja në vendin e shpërthimit do të kërkonte një marrëveshje mes të dy vendeve që udhëheqin hetimin, Polonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Varshava thotë se shpërthimi ka shumë të ngjarë të jetë shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase që ka humbur drejtimin, diçka që Kievi e mohon.

"Një ekip hetues polako-amerikan është në vend," i tha Jakub Kumoch transmetuesit privat TVN 24.

"Ukrainasit kërkuan hyrje në vendin e hetimit. Nëse të dyja palët bien dakord, dhe me sa di unë nuk do të ketë asnjë kundërshtim nga pala amerikane, një qasje e tillë mund të merret së shpejti", tha ai.

Shefi i Byrosë së Sigurisë Kombëtare të Polonisë, Jacek Siewiera, i tha gjithashtu transmetuesit privat RMF FM se për aq sa ai ishte në dijeni Duda nuk ishte kundër pranisë së vëzhguesve ukrainas në vendngjarje.

Kumoch tha se Polonia ka prova me video në lidhje me shpërthimin.

“Vërtet ka materiale filmike, nuk do të doja të flisja për përmbajtjen e materialeve filmike që i kam parë, por sigurisht që kryeministri ka dhënë informacione të tilla, materiale të tilla ekzistojnë”, tha Kumoch.

Kumoch nuk dha detaje të tjera. Ai tha se donte që ukrainasit të njiheshin më parë me këto materiale, në kontakt me ata që po kryejnë hetimin.

Ministria e Jashtme polake tha se një raketë e prodhuar nga Rusia ra në fshatin Przewodow, në Poloninë lindore, rreth gjashtë kilometra larg kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona më 15 nëntor, pas një dite granatimesh masive ruse të Ukrainës.

XS
SM
MD
LG