Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensyk, ka paralajmëruar Bjellorusinë fqinje – aleaten e ngushtë të Rusisë – që të heqë pajisjet sinjalizuese të përdorura nga Kremlini për të shënjestruar Ukrainën, përndryshe, sipas tij, Kievi do ta bëjë vetë.
“Cili është kuptimi të thuhet se ai [udhëheqësi bjellorus Aleksandr Lukashenko] nuk dëshiron të jetë në luftë? Le t’i heqë këto pajisje, le t’i fikë. Mendoj se një javë do të jetë e mjaftueshme për ta bërë këtë”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp në Kiev më 19 qershor.
“Nëse ai nuk e bën, ne do ta bëjmë”, shtoi ai, pa dhënë elaboruar më shumë.
Video: Ukraina forcon mbrojtjen në kufirin me Bjellorusinë
Zelensky tha se stacionet e transmetimit të sinjaleve ndodheshin në dy rajone të Bjellorusisë pranë kufirit me Ukrainën dhe se ato përdoren nga forcat ruse për të ndihmuar procesin e navigimit gjatë sulmeve ndaj civilëve ukrainas.
Ky pretendim nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Zelensky po ashtu foli për kapacitetet e rafinimit të naftës në Bjellorusi, duke pretenduar se vendi është bërë një furnizues i rëndësishëm për Rusinë dhe se Lukashenko mund ta ndalë këtë praktikë.
“Sot ai është furnizuesi më i madh, ose ndër furnizuesit kryesor për ushtrinë ruse. Veçmas Lukashenko, veçmas Bjellorusia”, tha Zelensky.
“A mund të ndalet kjo? Jam i sigurt se është në dorën e tij. Dhe ai është ai që e kontrollon”, shtoi ai.
Kievi ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës së naftës dhe objekteve të magazinimit në Rusi, shpesh duke goditur thellë brenda territorit rus, përfshirë edhe zonat pranë kryeqytetit Moskë, duke shkaktuar mungesa në Rusi dhe rritje të çmimeve për civilët.
Teksa Moska digjet, kriza me karburantet në Rusi përhapet
Sulmi ndodhi në kohën kur mungesat e karburantit, të cilat ditët e fundit janë përhapur nga zonat e pushtuara nga Rusia në Krime dhe Donjeck të Ukrainës, kanë filluar të shtrihen edhe në territorin e Rusisë.
Sipas mediave ruse, dhjetëra rajone në mbarë Rusinë dhe në territoret e kontrolluara nga Rusia kanë vendosur kufizime se sa karburante mund të blejnë civilët.
Kompania ruse e naftës së fundi vendosi kufizime në shpërndarjen e karburantit në qindra pikat e saj të shitjes në mbarë Rusinë, duke vendosur që çdo klient në maksimum mund të blejë 30 litra benzinë për furnizim.
Para sulmeve të 18 qershorit ndaj rafinerisë së Moskës, organizata amerikane kërkimore Energy Intelligence vlerësonte se rreth një e treta e kapacitetit të Rusisë për përpunimin e naftës ishte nxjerrë jashtë funksionit nga sulmet ukrainase me dronë. Sipas këtij raporti të specializuar për industrinë energjetike, aktiviteti i rafinimit të naftës në Rusi ka rënë në nivelin më të ulët në 21 vjet.
Në Krime, që është nën kontrollin rus, furnizimet me karburante pothuajse janë shterur për shkak të fushatës ajrore ukrainase që ka pasur në shënjestër cisternat me karburante dhe caqe të tjera logjistike në këtë gadishull.
Në rajonin Krasnodar të Rusisë, autoritetet lokale kanë thënë se ka mungesë të karburanteve dhe kjo mungesë është përkeqësuar nga shoferët nga Krimeja, të cilët dyshohet se furnizohen me karburante në këtë rajon rus para se të kthehen sërish në gadishull.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ishte në Kazan si mikpritës i Shoqatës së Shteteve të Azisë Juglindore (ASEAN) më 18 qershor, por nuk komentoi sulmet në Moskë.
Këshilltari i Kremlinit, Yury Ushakov, u tha gazetarëve në Kazan se ishte “totalisht gabim” pohimi që konflikti në Ukrainë ka nisur që të jetë në favor të Kievit.
Nën drejtimin e Lukashenkos, Bjellorusia është aleate e ngushtë ushtarake e Rusisë dhe ka mbështetur luftën e Moskës kundër Ukrainës, duke ofruar mbështetje logjistike dhe duke përsëritur kërcënimet e Kremlinit ndaj NATO-s. Megjithatë, ajo nuk i është bashkuar me pushtimin e plotë të Rusisë të nisur në shkurt 2022.
Bjellorusia, njësoj si Rusia, është përballur me sanksione të ashpra nga Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi, megjithëse Lukashenko ka bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin, përfshirë lirimin e disa kundërshtarëve të burgosur dhe të burgosurve politikë, ndonëse shumë prej tyre vazhdojnë të mbeten në burgje në Bjellorusi.
Lukashenko është në pushtet që nga viti 1994. Ai e mbajti pushtetin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, duke shpallur fitoren pavarësisht akuzave të përhapura për manipulim nga opozita bjelloruse dhe Perëndimi.