Ndërlidhjet

Ukrainasit që u detyruan të jetojnë me të vdekurit disa ditë


Trupat e njerëzve të vrarë në Buça, qytezë afër Kievit.

Ukraina po përgatitet për një operacion të madh rus në lindje të shtetit, tani që trupat ruse janë tërhequr nga zonat rreth kryeqytetit, Kievit.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka thënë se beteja për rajonin e Donbasit do t’i ngjajë Luftës së Dytë Botërore.

Kuleba u ka kërkuar vendeve të NATO-s të ofrojnë më shumë armë për të luftuar rusët.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca është e gatshme të rrisë mbështetjen, ndonëse nuk ka ofruar hollësi se për çfarë armë bëhet fjalë.

Teksa janë bërë publike më shumë mizori të kryera në zonat e kontrolluara ditë më parë nga rusët, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka pezulluar Moskën nga Këshilli për të Drejta të Njeriut.

Kremlini e ka përshkruar këtë vendim si “joligjor”.

Ndarja e hapësirës me të vdekurit

Fshati verior i Ukrainës, Jahidne ka qenë i pushtuar nga ushtarët rusë për gati një muaj.

Kur rusët kanë hyrë aty, ata besohet se kanë marrë burrat, gratë dhe fëmijët nga shtëpitë e tyre dhe i kanë dërguar në bodrumin e një shkolle për katër javë.

Rreth 130 persona kanë jetuar në një dhomë 65 metra katrorë.

“Unë kam pasur gjysmë metri hapësirë. Kam fjetur në këmbë”, ka thënë Mykola Klymchuk për transmetuesin britanik BBC.

“E kam lidhur veten me një shall që të mos bie. Kam kaluar 25 net ashtu".

Mykola ka thënë se nuk ka guxuar të lëvizë nga frika se mos po bie mbi njerëz.

Kur njerëzit kanë vdekur, trupat e tyre nuk janë larguar menjëherë.

Ushtarët rusë nuk kanë lejuar një gjë të tillë çdo ditë.

Raportohet se trupat ruse kanë diskutuar për vrasjet në Buça

Trupat ruse janë dëgjuar duke diskutuar për vrasjet e civilëve në qytezën ukrainase Buça në disa mesazhe që ka siguruar inteligjenca gjermane, kanë raportuar mediat e Gjermanisë.

Revista Der Spiegel ka thënë se një pjesë e trafikut të radio-lidhjeve që është incizuar nga agjencia gjermane e inteligjencës, duket se lidhet me lokacionet ku janë gjetur trupat jashtë Kievit.

Agjencia gjermane e inteligjencës nuk ka komentuar ende këtë çështje publikisht.

Ukraina ka thënë që më shumë se 300 civilë janë vrarë nga rusët në Buça.

Moska mohon përfshirjen.

Imazhet e publikuara nga rrugët e Buças kanë shokuar komunitetin ndërkombëtar.

Disa prej viktimave janë qëlluar në shpinë dhe kokë, me duar të lidhura.

A përbëjnë gjenocid vrasjet në Buça?

Vrasjet në Buça janë parë nga shumë zyrtarë si krime lufte. Të tjerë kanë thënë se Moska ka shkuar edhe më larg.

“Ky është gjenocid, ajo që keni parë këtu”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pas një vizite në Buça.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki është pajtuar që vrasjet në Buça dhe qytezat tjera “mund të quhen akte gjenocidi dhe duhet të trajtohen si të tilla”.

Mirëpo Shtetet e Bashkuara dhe aleanca e NATO-s, nuk e kanë përdorur këtë fjalë për të përshkruar atë që po ndodh në Ukrainë.

Laureati i Çmimit Nobel sulmohet me ngjyrë të kuqe

Gazetari rus Dmitry Muratov, i cili ka fituar Çmimin Nobel për Paqe më 2021, ka thënë se është sulmuar me ngjyrë të kuqe, pak para se të hynte në tren.

Dmitry Muratov.
Dmitry Muratov.

“Sytë po më djegin tmerrësisht shumë”, ka thënë redaktori i Novaya Gazetës, media liberale, e cila ka ndalur punën pas paralajmërimeve nga Moska për mënyrën si ka mbuluar luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Sulmuesi ka bërtitur “Muratov, kjo është për djemtë e tu”, ka thënë ai.

Novaya Gazeta njihet për shkrimet kritike ndaj autoriteteve ruse.

Muajin e kaluar, ajo ka bërë të ditur se do të ndalë punën deri në përfundim të luftës.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar, më 24 shkurt, “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG